Nga Nensi Bogdani
Mes diellit që nxeh rrugën e ngushtë dhe dredharake që të çon në malin e Tomorrit, me qindra autovetura ngjiten dhe zbresin me vështirësi. Datat 20-25 gusht shënojnë pelegrinazhin e përvitshëm në malin e Tomorrit, vendin e shenjtë të bektashinjve, por që vizitohet prej mijëra shqiptarëve të besimeve të ndryshme fetare.
Teksa afrohesh drejt majës, tingujt e muzikës popullore, kafshët e gjalla në pritje për t’u bërë kurban, aroma e mishit të pjekur dhe kaosi i makinave që përpiqen të gjejnë parkim, të japin ndjesinë se po shkon drejt një festivali veror në mal.
Kjo festë bektashiane lidhet ngushtë me emrin e shenjtorit Abaz Ali, për të cilin legjenda thotë se erdhi përpara qindra viteve me kalin e tij në malin e Tomorrit. Gjurmët gjenden në teqen e parë përgjatë rrugës që të ngjit drejt majës.
Rituali më i rëndësishëm i këtij pelegrinazhi është flijimi i një qengji, pra “kurbani”. Familje të tëra shkojnë atje për të blerë dele apo qengja, të cilat vetë tregtarët apo kasapët i flijojnë në thertoren që ndodhet në majë të malit.
Pasi kafsha flijohet, familjarët lyejnë ballin e tyre me gjakun e saj. Në majë të malit, pranë varreve të dervishëve, bie në sy thertorja, e cila kutërbon erën e gjakut të derdhur kudo në dysheme. “Çdo vit theren pothuajse rreth 10 mijë krerë bagëti,” thotë njëri prej kasapëve. Një qengj tregtohet nga 10 mijë në 15 mijë lekë të reja, në varësi të peshës.
“Këtë vit jemi shumë herë më mirë se vjet,” tha një tjetër kasap në thertoren që ndodhet në majë të malit të Tomorrit, duke iu referuar fitimeve. Pasi i therin dhe i rrjepin lëkurën, familjarët e fusin mishin e freskët nëpër thasë të mëdhenj, për të vijuar më pas rrugëtimin e tyre duke e shoqëruar me fjalët “na ndihmoftë”.
Shumë prej besimtarëve bektashinj e çojnë deri në fund rrugëtimin, duke qëndruar për netë të tëra nën çadrat e ngritura në majën e Tomorrit, deri në përfundimin e pelegrinazhit.