Fredi Beleri, personazhi kontrovers nga Progonati i Shqipërisë duket se nuk po gjen qetësi as në Parlamentin Europian, ku kryemininistri grek Qirjako Miçotaqis e dërgoi në shenjë hakmarrjeje ndaj përplasjeve që pati me politikën në Shqipëri.
Beleri, i dënuar tre herë nga gjykatat në Greqi dhe Shqipëri, për vepra penale të rënda, dhe i akuzuar për terrorizëm, ka zbuluar “tradhtarin” në Parlamentin Europian, por këtë herë ai është…grek!
Përplasja ka nisur pasi Beleri ka kërkuar që një grup eurodeputetësh të vizitojnë “fshatrat e pakicës kombëtare greke” në Shqipëri si dhe Famagustën në Qipro, për të parë, sipas tij shkeljet e rënda që po i bëhen minoriteteve në këto zona.
Por nisma e tij është mospërfillur dhe ka dështuar keq duke mos marrë mbështetje. Madje nuk ka marrë as votën e eurodeputetit grek Kyriakos Velopoulos, eurodeputeti i Demokracisë së Re dhe PPE-së.
Kjo ka bërë që Beleri të shpërthejë publikisht në një sulm të ashpër ndaj tij, duke e quajtur atë si oportunist që kërkon të fitojë pikë politike, ndërsa thotë se është vetë Beleri ai që lufton dhe përfaqëson popullin grek në Europë.
“Për kaq shumë ditë kam zgjedhur të mos i përgjigjem Z. Velopoulos dhe baltës së tij, nga respekti për viktimat e aksidentit të Tempit dhe familjet e tyre. Megjithatë, çdo gjë ka kufijtë e vet”, i thotë Beleri deputetit grek.
“…kishim paraqitur propozime kohë më parë që komiteti të vizitonte fshatrat e pakicës kombëtare greke dhe në Famagustë, me qëllim që të konstatonte shkeljet e të drejtave të pronës dhe të njeriut të grekëve të Shqipërisë, si dhe pasojat brutale të pushtimit dhe pushtimit të paligjshëm turk në vazhdim. Këto propozime, për fat të keq, nuk u mbështetën në praktikë nga grupi politik ECR i Z. Velopoulos”, shpjegon Beleri.
“Vetëm nga kjo është e qartë se kush bëri konsultime prapa skenave dhe aleanca të dyshimta me të Majtën, në mënyrë që të vinte si një propozim jashtë rendit të ditës për gjysmën e dytë të vitit 2026 për qëllime thjesht të vogla politike.
Ky është Kyriakos Velopoulos. Një tjetër oportunist, i cili nuk ngurron të diskreditojë vendin tonë jashtë vendit, duke pritur përfitime politike”, deklaron më tej Beleri.