Analisti Frrok Çupi, gjatë një emisioni politik në Televizionin MCN, është përballur në studio me Redon Meksin, vëlla i pronarit dhe aksioner në televizionin MCN.
Vëllai i pronarit dhe bashk- aksioneri Redon Meksi është paraqitur në studion e emisionit si një analist i politikës dhe pjesëmarrës në protestën e datës 12 Nëntor krah Berishës dhe Metës.
Gjatë analizës, Redon Meksi ka ndërhyrë disa herë duke i ndërprerë fjalën analistit Frrok Çupi. Në një moment, zoti Çupi bëri një përgjigje ironike ndaj ndërhurjeve të zotit Meksi, duke i thënë se ‘ju po ma ndërprisni fjalën me dhunë, siç bëri Saliu kur mori selinë e PD’ në janar.
Por zoti Meksi ka vazhduar të bllokojë fjalën e Çupit sa herë e ka prezantuar moderatorja e emisionit.
Në mes kakofonisë së krijuar nga zoti Meksi, gazetari Frrok Çupi i është drejtuar pronarit: “Më falni zotërio, me çtë drejtë nuk më lini të flas? Apo me të drejtën që je në televizionin tënd, në pronën e familjes?”
Meksi nuk është tërhequr as në këtë rast.
Analisti Çupi ka këmbëngulur se kjo është shkelje e deantolgjisë së gazetarisë, se kjo është dhunë; se që nga kjo sjellje familjare në media ‘kuptoj edhe pse dhe nga kush u dhunua dje gazetari Adriatik Doçi në Kamzë’.
Moderatorja e televizionit ka gjetur rastin ta mbyllë ekranin me pretekstin se ‘koha kaloi, tani janë lajmet’.
I pyetur rreth situatës, gazetari Çupi u shpreh se ‘kjo është dhunë mbi median dhe lirinë e gazetarit’.
Më tej zoti Çupi ka thënë se ‘askund në botën e qytetëruar pronari i medias nuk shfaqet në ekran. Aq më pak mund të ndodhë që në emër të pronarit t’i ndalohet fjala të ftuarit në studio dhe analistit të çështjes’.
Zoti Çupi tha se ‘sipas informatave që kam, në këtë televizion lahen paratë e Shkëlzen Berishës, dhe ‘këtu e gjej arsyen pse pronari është kaq i dhunshëm ndaj gazetarit’.