Banorët e fshatit Bujqes, komuna Shirgjen të Elbasanit kanë një hall të madh.
Një banor i fshatit, që ata e identifikojnë si Halit Tafani, dhe që rezulton të jetë dhe vëllai i kryetarit të PS-së së fshatit, Hysni Tafani nuk lejon që tokat e bashkëfshatarëve të vaditen me ujin e kanalit që siç pretendon kalon në tokën e tij
Banorët thonë se kanali është në tokë shtetërore dhe prej 30 vitesh është përdorur nga banorët për vaditjen e tokave.
Kanë 3 vjet që sorollaten për të gjetur një zgjidhje por ende asgjë. Sot ata vendosën të protestojnë edhe para bashkisë së Elbasanit.
“Shteti të bëjë detyrën. Një individ pengon 20 familje të vaditin 80 dynym tokë. Ai na thotë nuk ju lë të merrni tokën time. Nuk ju lë të vadis kurrë, por kanali është shtetëror’ thonë banorët.
“Kemi vajtur në çdo zyrë po më burokraci më të keqe nuk kam parë. Shkojmë tek kryetari I Komunës thotë nuk kam unë faj. Ai më thotë shko tek zyra tjetër.
Ne paguajmë taksa por nuk na shërbejnë. Të digjen gjithë këta njerëz për një person? Nuk duam ti biem në hak atij personi por duam të zbatohet ligji.
Diku ka mbështetje ai, se na thotë me gojë, unë kam paguar shumë lekë dhe ai kanal nuk hapet.”
Janë 20 familje dhe 80 ha tokë, me misër, jonxhe e të mbjella të tjera që duhej të vaditeshin nga uji i kanalit por që nuk ndodh.
“I bëj thirrje Ramës ta shikojë. Janë gjithë këta fermerë, të digjen për një person, është e padrejtë’ thotë një tjetër banor.