Paga minimale në Shqipëri vlen shumë më pak nëse llogaritet se çfarë mund të blesh me të, sipas të dhënave të Eurostat për treguesin e pagës minimale, të matur sipas standardit të fuqisë blerëse.
Ndërsa diferenca me Bullgarinë (të dytën pas nesh) për pagën minimale në vlerë është rreth 17%, kur matet sipas standardit të fuqisë blerëse, hendeku thellohet, sidomos me vendet e rajonit, të cilat rezultojnë se kanë një kosto jetese më të lirë.
Standardi i fuqisë blerëse (PPS) është një njësi e përbashkët artificiale e monedhës referente, e përdorur në Bashkimin Europian, e cila eliminon dallimet e niveleve të çmimeve midis vendeve.
Pra, një PPS ju lejon të blini të njëjtin vëllim mallrash dhe shërbimesh në të gjitha vendet. Sipas Eurostat, paga minimale në Shqipëri, e matur sipas standardit të fuqisë blerëse është 365 PPS, ndërsa në Mal të Zi dhe Serbi, ky indikator është rreth 590-600 PPS, pothuajse dy herë më e lartë sesa në Shqipëri. Koston më të lirë të jetesës në rajon e ka Maqedonia e Veriut, me PPS njësi, më shumë sesa dyfishi i Shqipërisë.
Në krahasim me shtetet e zhvilluara të Europës Perëndimore, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është katër herë më e ulët, p.sh., në krahasim me Gjermaninë.
Edhe të dhëna të tjera tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë, në totalin e buxhetit, një tregues ky i nivelit të lartë të varfërisë.
Rreth 41% e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Europë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.
Pas Shqipërisë më e lartë përqindja e shpenzimeve për ushqime e pije joalkoolike është në Maqedoninë e Veriut, me 30.6%, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (29.5%), Mali i Zi (24%.5), Serbia (23.6%)- të dhënat për Kosovën mungojnë.
Për Bashkimin Europian-27, kjo peshë është 13%. Më e ulëta në Europë është në Mbretërinë e Bashkuar, me 7.9%, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime e kanë rumunët me 23.1% ndaj totalit.
Buxheti i lartë që shpenzojnë familjet shqiptare në raport me totalin që ata kanë në dispozicion në një muaj është tregues i varfërisë më të lartë (ushqimet janë shpenzimi i domosdoshëm për mbijetesë), por edhe çmimeve relativisht të larta në raport me të ardhurat.
Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon.
Edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), Shqipëria mban rekord.
Sipas Eurostat, shpenzimet konsumatore finale për ushqime dhe pije jo joalkoolike ishin sa 31.5% e PBB-së në vitin 2019, ndërsa vendi i dytë pas nesh është Mali i Zi me 22.7% të PBB-së. Mesatarja e Bashkimit Europian-27 për këtë tregues është vetëm 6.8% e PBB-së.