Nga Fabiola Shkurti
Rikthimi në punë i ministrit Çuçi, pas pushimeve, përmes konferencës për mediat, ku shpjegonte rolin e shtetit në ngjarjen e Gramshit, solli në vëmendje edhe varfërinë e aktivitetit të ministrit, në rrjetet sociale.
Edhe pse në fillimet e punës u duk se do të kishte rezultate në këtë fushë prioritare për shefin e qeverise, sepse mori faqen e gatshme tënjë blogereje me mijëra ndjekës, përpjekja nuk shkoi përtej kësaj.
Dy ministrat e qeverisë Rama, Blendi Çuçin dhe Niko Peleshin, po i ndiqnin plot 100 vetë live. Edhe ata, duket të jenë ndjekës të Peleshit, prej faktit se ai avancon me rreth 15 mijë ndjekës më shumë se kolegu. Kjo jo per shkak të pozicionit të rëndësishëm në qeveri, por të jetës rozë të vajzës së tij.
Ky qe rasti që na ngacmoi, për të ndaluar te të gjithë ministrat dhe kuptuar jo vetëm zbatimin e porosisë për të përcjellë punët e tyre në rrjetet sociale, por edhe simpatinë që ka profili i secilit.
Si figura më pak e njohur ndër ministra të vjetër e të ricikluar, vlen të përmendet qëndrueshmëria e Ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Edhe pse nuk ka avantazhin e popullaritetit te kolegëve të saj, angazhimi i përditshëm në terren i ministres Krifca, bashkë me një trajtë njerëzore që i trajton njerëzit që takon, e ka bërë të rritet mediatikisht në një kohë të shkurtër. Ok, mbase edhe ndonjë lapsus ndikon që ta kthejë publicitetin e keq në avantazh.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, me gjithë një lloj hendeku që krijoi ngjarja e Himarës, ka të njëjtin përkushtim dhe vijimësi, qyshkur ishte deputete e qarkut të Gjirokastrës dhe hapte çdo dritare e shtëpi deri sa e ktheu Gjirokastrën e Përmetin në qytetet më të vizituara që ka sot vendi.
I ka kaluar shoqet Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me një numër të lartë pëlqimesh e numrash në profilin e saj.
E vetmja ndër ministre që megjithëse u rikthye me një mandat të dytë në Ministrinë e Kulturës, Elva Margariti, ka profilin më të dobët në rrjetet sociale, megjithëse nuk mund të themi të njëjtën gjë për buxhetin e projekteve të saj. Se për ç’merita u rikthye Margariti në krye të Kulturës nuk e dimë, por kjo nuk ka qenë me siguri arsyeja.
Më i justifikuar është dështimi mediatik i Delina Ibrahimit, Ministres së Financave që përveç një grupi profesionistësh të fushës dhe stafit të Ministrisë që përfaqëson, nuk e ndjek kush tjetër!
S’kishte si të ishte kështu për Elisa Spiropalin që megjithëse nuk ka një fokus të qartë në publikimet e saj, por eshte aq aktive, shto këtu dhe famën e memeve dhe e ka arritur vetë suksesin.
Në të njëjtat ujëra noton edhe Olta Xhaçka, Ministria e Jashtme, por me një profil më konkret dhe ndjekësit që i ka dhuruar pozicioni.
Ndërsa Ulsi Manja nuk ka asnjë tipar në këtë drejtim, Ministria e Arsimit, Evis Kushi, është shtuar në një kohë të shkurtër me nxënës e mësues.
Konkret dhe i dukshëm është profili i ministres që u veçua nga të tjerët duke marrë postin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Rëndësia e aktiviteteve të saj publike në infrastrukturë, është pasqyruar edhe mediatikisht.