6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Gara për ‘presidentin që duam’ sipas Kushtetutës nuk duhet të jetë përjashtuese!

    Nga Aranit Muraçi

    Një ndër personazhet më të njohura për publikun, “i fabrikuar” në studion e Arian Çanit, u bë i famshëm për mbështetjen e papritur që mori në rrjetet sociale. Por i njëjti personazh është harruar “padrejtësisht” kohët e fundit duke krijuar një “boshllëk” para publikut. Është koha që personazhit në fjalë t’i rikthehet dinjiteti i nëpërkëmbur, që të paktën, nëse nuk vetëshpallet, të propozohet nga mediat që promovuan figurën e tij.

    Studioja që e bëri atë të famshëm ka edhe ekspertizën e duhur ligjore për të propozuar një tjetër kandidaturë, në këto ditë të mbushura nga debati i nxehtë mbi emrin e presidentit të ardhshëm.

    Me argumentin se mbështeten gjerësisht nga publiku, duke u nisur nga statistikat e çmendura të rrjeteve sociale, prej disa ditësh nuk ka mbetur delirant dhe sharlatan i këtij vendi pa shpallur kandidaturën për postin e kreut të shtetit. Mediat tona kombëtare që shpesh bien viktimë të çorentimit kulturor si pasojë e rrjeteve sociale, sipas modelit Kim Kardashian, nuk kanë lënë personazh nga ‘çmenduria e rrjetit’ pa promovuar.

    Kështu që, mbi këtë argument, përse edhe Lekë Plepi të mos jetë një kandidaturë e mundshme për president?

    Nëse kërkohet një grua, mbi të njëjtin argument përse duhet përjashtuar një personazh tjetër po aq i suksesshëm pavarësisht nëse zotëron apo jo një profesion, Tea Trifoni?

    Pas një mungese të gjatë Tea, me një foto të publikuar kohët e fundit (pasi mësoi se president në Shqipëri mund të zgjidhet kushdo dhe mund të jetë grua) ka marrë mbi 25 mijë pëlqime në Instagram, shumë më tepër se çdo figurë tjetër politike, akademike, apo të çdo lloj fushe tjetër dhe qindra komente mbështetëse.

    Atëherë?

    Të gjithë delirantët dhe sharlatanët e këtij vendi duhet të garojnë në garën mediatike me Tea Trifonin (kriteri që e penalizon është mosha por me ndryshimet kushtetuese dhe vullnet politik ajo dhe të tjerë si ajo mund të futet në garë), kurse mediat duhet të dinë që Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës, propozohet nga një grup prej 28 deputetësh dhe zgjidhet me votat e shumicës së Kuvendit të Shqipërisë, qoftë edhe të shumicës së thjeshtë parlamentare.

    Shqipëria është Republikë Parlamentare, siç është Gjermania, Italia, Greqia etj. Presidenti aktual i Gjermanisë është Frank-Walter Steinmeier, i cili u zgjodh më 12 shkurt 2017 dhe u rizgjodh më 13 shkurt 2022. Ai aktualisht po kryen mandatin e tij të dytë pesëvjeçar, i cili filloi më 19 mars 2022 dhe ndiqet jo më tepër se 50 mijë vetë në rrjetet sociale.

    Në 30 vite pluralizëm asnjë presidenti nuk i është besuar një mandat i dytë në Shqipëri, çka tregon sesa ka rezultuar të ngrihet mbi palët një i tillë.

    Çuditërisht kreu i shtetit gjerman komentohet dhe pëlqehet nga një publik prej mbi 80 milionë banorësh më pak në rrjetet sociale se personazhë që promovojnë mediat dhe rrjetet sociale në Shqipëri.

    Duhet theksuar po ashtu fakti që të tillë personazhë qëndrojnë mbi “palët” duke qenë se nuk kanë shfaqur preferenca politike.

    Ata kanë arritur gjithashtu një ‘sukses’ të jashtëzakonshëm në jetën tonë publike, duke kapërcyer në çdo prezencë publike çdo debat politik, çka besohet se me profilin e mundshëm të presidentit, kjo i bën interesantë edhe për vetë mediat që garojnë çmendurisht për ca klikime më shumë.

    Megjithatë, në kushtet aktuale të vendit tonë Presidenti i ri do të jetë burrë apo grua, pjesë e politikës apo e shoqërisë civile, këtë e vendos vetëm ai që zotëron votat e Kuvenit të Shqipërisë sipas kushtetutës.

    Si përfundim, Partia Socialiste aktualisht në qeverisje nga e cila do të varet vendim-marrja, ka në gjirin e saj jo pak emra me përvojë të gjatë akademike dhe politike, të lënë gjatë viteve të fundit disi në hije si Valentina Leskaj, Et’hem Ruka, Namik Dokle etj, të cilët zotërojnë profilin e mundshëm të një presidenti serioz, nuk pritet të surprizojë aspak me emrin e ri teksa do të sfidohen prej saj me qindra kandidatura të paraqitura gjatë ditëve të fundit, në një formë kaq groteske.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit