Efektivët e Gardës së Republikës i kanë dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Ervin Hoxha, në lidhje me problematikat dhe organizimin e institucionit kyç për sigurinë kombëtare. Raportohet se kjo letër është bërë më pas shkak për shkarkimin e drejtuesit Ermal Onuzi.
Duke nisur nga emërimet pa kriter e mungesa e profesionalizmit, letra e punonjësve zbulon se çfarë ndodh vërtetë në zyrat e Gardës së Republikës.
CNA ka siguruar letrën ku theksohet një detaj skandaloz se, Garda e Republikës është vendi ku konsumohet masivisht alkool nëpër zyra dhe me gotat përpara bëhet politika e emërimeve, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm e deri te drejtorët e tjerë të institucionit.
“Me keqardhje ju themi se Garda është tani vendi ku konsumohet masivisht alkool nëpër zyra dhe me gotat përpara bëhet politika e emërimeve. Duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe beniaminët e tij (drejtori i DPK dhe drejtori i DSPLSH).
Realisht Gardën e drejton një pijanec ordiner si L.H., që është shoku i drejtorit, i cili mbasi pi sa nuk kontrollon veten, del para efektivit me pantallona të lagura dhe thotë, ‘ligjin tani e bëj unë’. Po ju pyesim: Ky është vizioni për Gardën?”, thuhet në letrën e tyre drejtuar Ramës dhe Hoxhës.
Një tjetër shqetësim i punonjësve i paraqitur në letrën e zbardhur nga CNA është se po shkatërrohet karriera e dhjetëra gardistëve dhe po zëvendësohen me ish-ushtarakë, miq të drejtorit, të liruar apo në prag lirimi nga FA, kryesisht për mosavancim në gradë.