Gazetari Bardhi Sejdarasi thotë se ka një metodologji të përcaktuar me ligj për vendosjen e çmimit të një litër naftë.
Kompanitë që tregtojnë hidrokarbure, tha ai, në momentin që bëjnë importim, ligji i detyron që të sigurojnë 1/3 e produktit si rezervë sigurie strategjike.
Pikërisht kjo rezervë tha ai eliminon goditjen në kriza të tilla siç po kalojmë sot ku çmimi i naftës është rritur me 50% në një javë.
“Në Petrolifero dhe Porto Romano ka sasi të mjaftueshme karburanti gjendje që nuk mund ta pyesin krizën”, tha Sejdarasi.
Ai tha se janë vetëm dy kompani që kanë importuar “naftën e luftës” të tjerat po tregtojnë sot naftën e blerë para lufte, ndaj çmimet e tyre janë abuzive.
Pse Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës në rajon?
Gazetari tha se tek çmimi ka ndikim jo vetëm taksa por edhe përqindjet që përfitojnë plot tre shoqëri koncesionare private.
“Deri në fund të shkurtit çmimi i zhdoganimit të naftës është 68 lekë për litër”, tha Sejdarasi.
Në doganë tha gazetari paguhet akciza dhe TVSH dhe çmimi arrin jo më shumë se 97 lekë për litër.
Në çmim shtohet edhe taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër dhe karbonit, 3 lekë, që paguhen nga qytetari në çdo litër naftë që blihet.
Qytetari paguan edhe për shoqëritë koncesionare, kështu taksat dhe tarifat bëhen 13 në total.
“Nëse i zbresim, Shqipëria del me çmimin më të ulët të naftës në rajon”, tha ai.
Gazetari shtoi se edhe në rastin e grurit ka abuzim me rritjen e çmimit, pasi ka sasi gjendje të blerë para luftës.
“Sipas vetë shifrave zyrtare, në periudhën janar-shkurt është importuar sasi e barabartë me sasinë që është konsumuar gjatë gjithë 2021” – tha gazetari.