Nga Altin Dangëllia
Kur nisa studimet për gazetari vite më parë, ekzistonte një mit me emrin Artan Fuga. Ishte koha kur profesori dilte çdo të premte mbrëma tek Arian Çani, që e prezantonte atë si të vetmin filozof në Shqipëri.
Ndaj dhe kurioziteti ishte i madh, aq më tepër që sapo të shkelte këmba aty, fjalia e parë që dëgjoje ishte se “do të japë mësim Artan Fuga”.
Madje dhe vetë Mark Marku, profesori dashamirës, jo ai nevriku që shikoni në TV duke kërcënuar me shishen me ujë në dorë, në përballjen e parë që patëm në korridor, fjalia e parë që nxorri ishte “jeni me fat, se këtu jep mësim profesor Fuga”. Dhe iku duke buzëqeshur ca nga thumbi që lëshoi e ca nga përgjigjia se, “nuk është vetëm Fuga i famshëm këtu, jeni edhe ju profesor”.
Pastaj kurioziteti u shua shumë shpejt dhe dy gjëra mendova atëhere, ose unë isha shumë i zgjuar, ose profesor Fuga kishte pak a shumë nivelin e mësuesit të Edukatës qytetare, atij të 8-vjeçares, jo të gjimnazit. Vetëm se ishte më i lexuar dhe dinte të luante me fjalët.
Pastaj me vonë, me kalimin e viteve kuptova se në fakt nuk isha dhe aq shumë i zgjuar!
Me profesorin, me të cilin kisha një marrëdhënie të mirë, pasi për hir të së vërtetës, ai është një person që nuk prish qejf me njeri, nuk u ndesha më pas mbarimit të Universitetit.
Thjesht tani e ndjek vetëm nëpërmjet rrjeteve sociale, ku ai është teper aktiv dhe ku unë vazhdimisht konfirmoj atë që thashë më sipër, se nuk paskam qenë edhe aq i zgjuar sa pretendoja në fillim.
Për dreq mu shfaq edhe këtë të dielë, pak para se të bëja gjumin e drekës, pas një vakti të rëndë ushqimi, siç ne shqiptarët hamë në përgjithësi.
Ndryshe nga unë, profesori kishte ngrënë një drekë të lehtë me peshk e perime, me vetë presidentin e vendit, Ilir Metën.
Dhe këtë, profesori e lajmëronte me ngazëllim në FB, ku kishte postuar edhe një foto me presidentin, ky i fundit me xhaketë e këmishë, profesori sportiv e me zinxhir në qafë.
Epo mirë thashe me vete, njeri është edhe profesori, që njëkohësisht është edhe akademik, s’ka pse ta fshejë ngazëllimin që ka ngrënë drekë me Ilir Metën, se jo të gjithë e kanë këtë fat.
Veç atij, Fahri Balliun, Çim Pekën e Bes Kallakun njohim publikisht, që drekojnë me presidentin.
Por kur pashë pastaj tekstin që kishte shoqëruar foton, u hodha vërtik nga krevati dhe desh u rrëzova.
Si, si, profesori paska pasur “një bisedë sa substanciale dhe serioze, aq edhe miqësore, e këndshme, dhe me shumë humor të hollë”, me Ilir Metën?! Më bëjnë sytë apo e ka shkruajtur vërtet profesori këtë? E paska shkruajtur vërtet. Dhe ka edhe më.
Profesori paska folur me Metën edhe “për burrat e mëdhenj dhe gratë dinjitoze të Skraparit dhe Beratit në histori, për dëshmorët dhe viktimat, për historinë e partisë socialiste që në shumë pika vetëm ne e dimë të vërtetën, për heronjtë e vërtetë të demokracisë që pasi çanë muret e ambasadave nuk rrahën gjoksin dhe nuk kërkojnë të dalin në presidiume, për opozitën dhe pushtetin, për barishtet e zjera si ushqim i mirë, për dorëzimin e mandateve si vetëdorëzim i përgjegjësive që i ishin kërkuar kombit, për traditat e mëdha shqiptare, për skuthat, hipokritët, për verën e Delvinës, për energjitë e reja politike alternative që Shqipëria ka nevojë.”
Epo pikë e zezë me profesorin thashë dhe desh ulërita me të madhe, po ik o profesor, fshih atë lyrën që të ka mbetur në buzë dhe që e ke hedhur edhe në letër me shkronja, po e mbajta veten, se mirë profesori, po do mendonin komshinjtë se u çmenda edhe unë.
Se jo për gjë, po e kisha pak të vështirë të imagjinoja profesorin-akademik, duke biseduar këto temat e mëdha me Ilir Metën. Po po, Ilir Metën e Fahri-Çim-Bes Kallakut!
Po mirë mo profesor, akademik, filozof etj etj, e di ti kush është Ilir Meta, ai që socialistët na e bënë peshqesh për president, meqë Edi Rama donte të qeveriste i qetë, duke mos e pasur nëpër këmbë?
E di ti profesor, që vetëm këto ditët e fundit, se s’po dua të të përmend gjithë begraundin e bëmave të këtyre 30 viteve të presidentit, Ilir Meta është akuzuar nga gazeta më e madhe austriake për një aferë 700 mijë dollarë dhe nga killeri më i rrezikshëm shqiptar, se ka porositur vrasjen e vëllait të një ish-deputeti?
Mirë televizorin e ke futur në dollap, po gazeta lexon ti a jo?
Po si do iu shkosh studentëve ti tani në auditor, çfarë do t’ua thuash kur t’u flasësh për shembujt që duhet të ndjekin në jetë, që të bëhen si Ilir Meta, ai që shfaqej live në video duke bërë pazare me atë bllokun e zi, të cilin e lëpinte me atë gishtin që ti ia shtrëngove pasi u dënde me peshk e perime?
Apo do t’ua thuash edhe atyre se para pjatës dhe gotës, Ilir Meta është një njeri i këndëshëm, që bën muhabet edhe për tema të mëdha e nuk e ka mëndjen veç tek 7 përqindëshi?
Po mirë ja ua mbushe mëndjen për këtë, po LSI-në, kancerin e këtij vendi, fenomenin më të shëmtuar e të korruptuar politik, të krijuar pikërisht nga Ilir Meta, si do ua shpjegosh studentëve, apo si një e keqe e domosdoshme?
U pika që s’të bie o profesor! Të kemi dhe akademik pale!