22.5 C
Tirana
E martë, 1 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Gjeneral Lama: Serbët minuan kufirin tonë. I gatshëm të tregoj ku janë minat!

    Gjeneral Kudusi Lama i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV foli për minimin e kufirit të Shqipërisë dhe Kosovës. Lama tregon si ndodhte minimi i kufirit me mina këmbësore dhe rrugët e Kosovës me mina antitank.

    “Mbi vijën kufitare të Shqipërisë edhe mbi trupat e divizionit që ishin të gjitha në fortifikata, në qendrat e zjarrit, kanë rënë për 22 muaj mbi 12 mijë predha artilerie. Gjithashtu ka pasur edhe vendosje minash.

    Unë i di vendet ku ka pasur mina brenda kufirit. Edhe sot jam i gatshëm të shkoj të tregoj se ku kanë qenë. Unë kujtoj si sot, një plak i gjatë, vjen me vrap tek unë shumë i revoltuar e më thotë: Mos lejo të kalojnë makina këtu se serbët kanë minuar rrugën, do na bien makinat në mina.

    Një shefi i xhenios së divizionit, që për fat të keq një ditë ai shkeli vetë në mina dhe dëmtoi të dyja këmbët, u lajmërua që janë vendosur mina në rrugë. Ai mori detyrën për të vajtur dhe kontrolluar rrugën dhe zbuloi në kalldrëme dhe asfalte 462 mina që i hoqën ekipet e divizionit të çminimit.

    Pastruan rrugën se do ishte katastrofë e madhe po të shkelnin makinat në to. Te ne kanë rënë në mina 215 shqiptarë. 90% janë lënduar përtej kufirit, teksa ishin për të shkuar diku. Këtej pak ka pasur. Minat ishin kryesisht kundër këmbësorisë, jo antitanke. Antitanket ata i vendosnin në rrugë”, tha Lama.

    Për minimin e kufirit të Shqipërisē dhe Kosovës foli pak kohë më parë edhe një dëshmitare, për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga. Çmontuesja e minave Violeta Dukja tregoi në Shqip se si zbulonin minat e vendosura në kufirin e Kosovës dhe Shqipërisë që në vitin 1981 nga serbët dhe jugosllavët, disa vite para se të niste lufta në Kosovë.

    Falë hartës serbe, ata arritën të gjenin ku ishin vendosur minat dhe t’i çmontonin. Violeta tregon se si ndodhën 215 shpërthime të minave në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, 20 shqiptarë humbën jetën dhe shteti thotë Violeta nuk bëri asgjë për ta. Në Kosovë, rrëfen Violeta nga 1998-ta deri në vitin 2000 kanë ndodhur 430 aksidente me minat, pati 109 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit