16.5 C
Tirana
E martë, 24 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Gjykata do të vendosë nëse elefanti meriton të drejtat themelore të njeriut

    Gjykata më e lartë e New York-ut do të përcaktojë nëse Happy, një elefant aziatik 47-vjeçar që jeton në kopshtin zoologjik të Bronx-it, po mbahet mbyllur në mënyrë të paligjshme.

    Nonhuman Rights Project (NhRP), një organizatë jofitimprurëse e të drejtave civile që mbron personalitetin juridik të majmunëve të mëdhenj, elefantëve, delfinëve dhe balenave, paraqiti peticionin kundër kopshtit zoologjik në vitin 2018 “duke kërkuar njohjen e personalitetit juridik të Happy-t dhe të së drejtës themelore për lirinë trupore dhe lirimin,” raporton CNN.

    NhRP argumenton se në kopshtin zoologjik të Bronx-it, Happy mbahet njësoj si në izolim, gjë që ata thonë se është veçanërisht mizore duke pasur parasysh se elefantët janë krijesa shumë shoqërore që lëvizin nëpër zona të mëdha në natyrë. Organizata po kërkon që Happy të zhvendoset në një vend të denjë për elefantët, ku thonë se do të kishte më shumë hapësirë si edhe do të ishte në kontakt me elefantë të tjerë.

    Kopshti zoologjik argumentoi të kundërtën. Happy ka kontakt me një elefant tjetër dhe për të kujdesen njerëz si “veterinerë të kafshëve të mëdha të trajnuar mirë dhe mbajtës të kafshëve që e trajtojnë Happy-n me respekt dhe dashamirësi”. Ata theksojnë se kopshti zoologjik është i certifikuar dhe Happy, si të gjithë kafshët e kopshtit zoologjik, mbrohet nga Ligji për Mirëqenien e Kafshëve.

    Një nga avokatët e NhRP, thotë se organizata po kërkon një vendim shumë të veçantë. Aktualisht, bota ligjore “nuk ka vend për dallimin midis elefantit dhe vemjes. Tani për tani, Happy ka të njëjtat të drejta si një milingonë”. Sipas NhRP, Happy “është më shumë si njeriu për të drejtën për liri trupore”, duke vënë në dukje se vendimi nuk do t’i hapte domosdoshmërisht dyert për kafshët e tjera si qentë apo bagëtitë që të fitojnë të drejta si njeriu.

    Sipas NhRP, elefantët “ndajnë aftësi të shumta komplekse njohëse me njerëzit, të tilla si vetëdija, ndjeshmëria, ndërgjegjësimi për vdekjen, komunikimi i qëllimshëm, të mësuarit, kujtesa dhe aftësitë kategorizuese”, gjë që i bën ata të meritojnë në mënyrë unike të drejtën për habeas corpus – një ndihmesë ligjore përmes të cilit një person, ose një kafshë në këtë rast, mund të raportojë paraburgim ose burgim të paligjshëm.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit