Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut ka rrëzuar kërkesën e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
GJDENJ vendosi të mospranojë kërkesën e Fullanit që pretendonte se duhet të rikthehej në detyrë pasi sipas tij i ishin shkelur të drejtat. GJDENJ argumenton se kërkesa është e papranueshme.
Ish-guvernatori u arrestua në vitin 2014 me akuzën e vjedhjes duke shpërdorur detyrën për 713 milionë lekë të reja.
Më pas, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë votoi për shkarkimin e tij nga posti i guvernatorit në vitin 2014 dhe u miratua nga Kuvendi, pas skandalit që plasi në Bankën Qendrore.
Ardian Fullani fillimisht u arrestua, më pas Gjykata vendosi arrest shtëpie, kurse vendimi i Apelit, më 23 dhjetor të 2015 e shpalli të pafajshëm.
Pas arrestimit dhe shkarkimit, ish- guvernatori Ardian Fullani paditi në Gjykatën Administrative, Bankën e Shqipërisë dhe Kuvendin për shkarkimin nga detyra, duke kërkuar dëmshpërblim.