13.5 C
Tirana
E diel, 14 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Gjykata Kushtetuese “rrëzon” Ramën, iu jep të drejtë studentëve

    Pas padisë së depozituar nga studentët e mjekësisë lidhur me ligjin e punësimit të detyruar pas studimeve, Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e tyre dhe vendosi pezullimin e këtij ligji deri në një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e tij.

    Përmes një vendimi të shpallur ditën e martë, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht ligjin e punësimit të detyruar për studentët e mjekësisë, ligj i cili i detyronte ata të punonin në Shqipëri për të paktën pesë vite pas përfundimit të studimeve ose të shlyenin pagesat e shkollimit.

    “Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosi sot në datën 14.11.2023, pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 ‘Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Ligji në fjalë u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në muajin Korrik të këtij viti dhe u pasua nga protesta të shumta të studentëve të Universitetit të Mjekësisë, të cilët e cilësuan atë si cënim të të drejtave dhe lirive të tyre dhe e paditën në Gjykatën Kushtetuese.

    Protestat e studentëve të mjekësisë kanë nisur që prej muajit Qershor kur flitej për mundësinë e një projektligji që do i detyronte ata të punonin në Shqipëri të paktën pesë vite pas diplomimit. Projektligji më pas u miratua në Parlament më 21 Korrik 2023, pavarësisht kundërshtimit të studentëve.

    Një grup përfaqësues i studentëve bëri më pas padi në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa studentët bojkotuan mësimin dhe refuzuan nënshkrimin e kontratave.  Pas pothuajse një muaji bojkot nga ana e studentëve, në fillim të Nëntorit rektorati ra dakord për pezullimin e zbatimit të ligjit edhe për zëvendësimin ditëve të humbura mësimi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit