Një ditë pasi dosja për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj u dërgua për gjykim është hedhur shorti për gjyqtaren se seancës paraprake.
Etleva Deda është gjyqtarja që do të vendosë nëse do të kalojë ose jo për gjykim dosja për Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 28 të pandehurit e tjerë (persona e subjekte). Brenda 10 ditësh, gjyqtarja duhet të caktojë datën për seancën paraprake.
Dosja e Veliajt u dërgua për gjykim më 10 shtator, 7 muaj pas arrestimit të tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme janë 9 raste “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të ndarë sipas kompanive dhe organizatave jofitmprurës, me të cilat dyshohet se Erion Veliaj ka bashkëpunuar duke dhënë leje ndërtimi apo fonde publike, në këmbim të ryshfetit, sipas SPAK-ut.
Katër akuza të tjera, përfshijnë “pastrimin e produkteve të veprës penale”, “fshehjen e pasurisë”, “Shpërdorimin i detyrës” si dhe “Futja e sendeve te palejuara në burg”, rast për të cilin ai akuzohet se ka përdorur telefonin e një polici të burgjeve për të komunikuar me familjarët e tij. Sipas SPAK, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, kanë marrë përfitime të parregullta monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani private dhe OJF-të.