Kryeministri Edi Rama doli në me një deklaratë të beftë përmes rrjeteve sociale në kulmin e debateve dhe raportimeve të mediave për përmbytjet në vend, sidomos në zonën e Shkodrës.
Por, në këtë dalje kreu i Qeverisë nuk foli as për përmbytjet, as për faktin se KESH ka hapur portat dhe po shkarkon dëm mijëra metër/kub ujë në sekondë, në një kohë që energjinë po e blen. Nuk foli për akuzat për keqmenaxhimin e korporatës.
Në vend të kësaj tha se sapo kishte firmosur procedurat për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, që sipas VKM-së së miratuar në fillim të shtatorit do t’i kalojnë shtetit.
Mediat e morën këtë deklaratë dhe e bënë fakt konfiskimin, në një kohë që e vërteta nuk është krejtësisht ashtu siç e thotë Kryeministri, ose më saktë deklarata është një gjysmë e vërtetë, nga ato që kreu i qeverisë vetë i quan si ‘gënjeshtrat më të mëdha’.
Pse? Së pari, Rama e ka zgjedhur me kujdes gjuhën e përdorur në këtë deklaratë. Ai vetë nuk flet për konfiskime, por për procedura konfiskimesh. Kjo do të thotë se qeveria ka nisur procedurat për të konfiskuar këto ndërtime dhe se nuk i ka konfiskuar ato, siç thotë në VKM.
Gjuha është përzgjedhur me kujdes, pasi konfiskimet e pronave me dhe pa leje nuk mund të bëhen me një VKM qeveria. Fjalën e fundit e ka gjithmonë drejtësia dhe çdo vendim përfundimtar i takon asaj.
Për më tepër, vetë VKM-ja e shpikur nga qeveria në fillim të shtatorit është paditur aktualisht në Gjykatën Kushtetuese. Deri kur të flasë Kushtetuesja, çdo deklaratë për konfiskim ndërtimesh pa leje, këtej e andje, këtij dhe atij duhet të merret me rezerva si një gjysmë e vërtetë.