Kryeministri Edi Rama ka përdorur shpesh togfjalëshin “nuk kam shkopin” magjik si justifikim për punët që nuk ka bërë, apo premtimet e pambajtura. Por, ishte pikërisht “shkopi magjik” që i kërkoi Gledis Nanos në 10 muaj si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Nano u shkarkua pa e mbushur vitin me arsyetimin se ‘nuk ka përmbushur objektivat’. Kështu deklaroi Çuçi, që barrën e shkarkimit të Gledis Nanos e shpërndau të Qeveria, jo vetëm te vetja. Megjithatë, ajo që nuk tha Çuçi ishte se cilat ishin objektivat e vendosur për Gledis Nanon, që të kuptojmë më pas se sa i përmbushi dhe sa jo.
T’i ngarkosh barrën e përgjegjësisë vetëm Gledis Nanos për gjendjen e policisë së shtetit sot, është në rastin më të pakët hipokrizi e politikës dhe në rastin më të keq pas kësaj lëvizjeje qëndrojnë interesa të mikluara të krimit me politikën.
Sigurisht, që policia sot ka probleme atë e sheh edhe bufi, por problemet as lindën me Gledis Nanon dhe as u shtuan me të. Nëse do të ishte e kundërta, atëherë Ambasada e SHBA nuk do të reagonte menjëherë duke e cilësuar atë si ‘bashkëpunëtor të fortë të saj’.
Megjithatë, si Bledi Çuçi edhe Edi Rama e dinë më mirë këtë. E dinin gjithashtu se Gledis Nano mbërriti në krye të Policisë së Shtetit jo prej kulisave e klaneve të vjetra që kanë zënë rrënjë prej dekadash në radhët e uniformave blu.
Ai nuk ishte pjesë e asnjë “sekti” brenda uniformave blu dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja se përse nuk arriti që të mbijetonte gjatë në këtë post. Nuk ishte as militant e përkrahës partie, por besonte te profesionalizmi i vet.
Përveç kësaj, ai asnjëherë nuk e pati besnikërinë e plotë të vartësve të vet, një pjesë e të cilëve dyshohen edhe për lidhje me krimin e organizuar. Këta të fundit i vunë edhe shkopinj nën rrota dhe deri diku ja arritën qëllimit.
Megjithatë, arsyeja kryesore e largimit të Gledis Nanos mund të ketë qenë raporti i tij me ndërkombëtarët. Në 10 muaj në këtë post, Nano fitoi besimin e agjencive ligjzbatuese të huaja, që kulmoi në muajin korrik, kur ai u bë drejtori i parë i Policisë së Shtetit që takon kreun e FBI-së amerikane.
Takime të niveleve të larta zhvilloi edhe më palën italiane e atë gjermane, ndërsa në Tiranë gëzonte mbështetjen e partnerëve kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë edhe Ambasadën e SHBA.
Por, pikërisht ky afrim i Nanos me të huajt siç duket nuk është pëlqyer në Kryeministri. Rama prej kohësh ka nisur të ketë paranoja nga të huajt dhe kërkon me çdo kusht që të jetë vetëm ai kontakti i tyre me Shqipërinë. Kushdo tjetër që krijon lidhje të drejtpërdrejt me ta shpallet armik.
Në zyrat e korridoret e Kryeministrisë përfliteshin lidhjet e Gledis Nanos me Ambasadën Amerikane dhe një nga personat që ‘e fliste në vesh’ Ramës ishte zëvendësja e tij, që Kryeministri e quan ‘shtriga’.
Belinda Balluku po tenton të fuqizojë klanin e saj brenda mazhorancës dhe për të, qëllimi justifikon mjetin. Ajo po krijon lidhje okulte nga të gjitha fushat, nga biznesi, politika, media dhe policia. Një biznesmen i afërt me të ka lidhje me një drejtues policie që duhet të ishte i pari që të largohej pas arrestimit të efektivit që kishte shoqëruar Ervis Martinajn, si epror direkt i efektivit.
Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por i çonin Ramës përditë informacion se ‘Gledis Nano informon amerikanët për çdo gjë ndodh në vend’. Pak ditë më parë, kur Nano pati një takim me përfaqësues të Ambasadës pasi mori vesh se do e largonin, Bela nxitoi t’i thoshte Ramës: “Të thashë se ai po na shet te amerikanët”.
Rama këtë shqetësim e ka pasur që kur e vendosi Nanon në krye të policisë. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar mësohet se Rama është shprehur: “Dakord e vendosim, po mos na ngatërrohet shumë me ‘Rrugën e Elbasanit’”.
Kjo është një pjesë e intrigës, pasi Rama ka kohë që është në paranoja me ndërkombëtarët. Një burim nga qeveria tha për Vox News se Kryeministri është bërë i rreptë edhe ndaj kontrollit të telefonave. Ai nuk mban më asnjë mbledhje me telefona në sallë.
Shumë po kërkojnë të gjejnë sot ‘kallon që ka shkelur’ Gledis Nano që e hoqën. Është lodhje e kotë, pasi me Ramën prishesh edhe për hiçgjë.
Pavarësisht asaj që ndodhi, e Gledis Nano iku shpejt dhe la pak gjurmë në polici, por ai u largua ballëlartë, pa iu nënshtruar një Kryeministri që ka marr pamje sulltani dhe as nuk iu lëpi për ndonjë kockë tjetër, siç kanë bërë paraardhësit e tij.
Në të shkuarën, të gjithë drejtorët janë shkarkuar, pavarësisht se publikisht kanë dhënë dorëheqjen, si në rastin qesharak të paraardhësit të Gledis Nanos, kur mediat shkruan me ironi se ‘e mësoi nga televizori që ishte dorëhequr’.
Të gjithë janë shkarkuar, por Rama iu ka thënë ikni vetë që mos të duket shkarkim. Gledis Nano nuk pranoi të bëhej pjesë e këtij skenari dhe për këtë do të mbahet mend. Një gjë është e sigurt se kushdo që të vijë, situatën e rendit do e këtë shumë të vështirë, pasi krimi në Shqipëri është fuqizuar ekonomikisht ndër vite edhe me bekimin e politikës.
Për më tepër, drejtori i ri do të duhet të nisë punën nga zero me ndërkombëtarët, pra të fitojë besimin e tyre dhe të ruajë atë pak profili pozitiv që ngriti Gledis Nano në raport me ta, por edhe me median.
Në mbyllje, Gledis Nano iku, por çështja është a do të qetësojë rendin në Shqipëri kjo lëvizje, apo shqiptarët do të paguajnë shtrenjtë pasigurinë në rritje të rendit prej një kapriçoje kryeministrore?



