14.5 C
Tirana
E premte, 20 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Grabitja e pronave të ushtrisë nga Kastrati, një histori e gatuar keq

    Në fillim të 2020, një kërkesë e “Kastrati Group”, kompanisë së Shefqet Kastratit dhe e “Concord Investment”, me pronar Artan Dulakun mbërrin në dyert e Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës.

    Kërkesa kërkonte marrjen me koncesion të një sipërfaqeje prej 260 mijë metra katrorë prona të Forcës Detare në Bazën Ndihmëse të Limionit. Nga kjo sipërfaqe, rreth 40 mijë metra katrorë ishin pjesë e planit të përhapjes së forcës detare.

    Ministria e Infrastrukturës përcolli kërkesën të Forca Detare. Kjo e fundit i ktheu përgjigje negative duke cituar, sipas deklaratave të mëvonshme të ish zëvendëskomandatit të saj, Artur Meçollari “rëndësinë strategjike dhe pengesat e legjislacionit në fuqi, që nuk e njihte mënyrën e propozuar për investim” nga Kastrati dhe Dulaku.

    Me të marrë përgjigjen, Kastrati e korrigjon ofertën dhe nga koncesion propozon Partneritet Publik-Privat. Oferta e re kërkonte të njëjtën sipërfaqe për shfrytëzim për hotele e resorte në këmbim të ndërtimit nga ana e privatit të një baze të re për Forcën Detare.

    Me ofertën e re në dorë, ministrja e Mbrojtjes në atë kohë, Olta Xhaçka thërret për konsultim oficerët e lartë të Forcës Detare që të vlerësonin kërkesën. E joshur nga ideja që privati do të ndërtojë një bazë të re me standarde moderne dhe duke pasur parasysh se hapësira që zotëronte ishte përtej nevojave që shfrytëzonte, Forca Detare e miraton duke i renditur Shefqet Kastratit kërkesat teknike e operacionale dhe me kushtin hapësira shtesë t’i kalonte vetëm pas përfundimit të bazës së re.

    Sipas rrëfimeve të mëvonshme të Artur Meçollarit, ministrja Xhaçka e kishte vlerësuar projektin e dorëzuar nga Forca Detare si të tepruar dhe përtej mundësive e kapaciteteve të kompanive të Kastratit e Dulakut. Por, Meçollari pretendon se projekti ishte real dhe i barabartë, që do të thotë se Forca Detare përfitonte po aq sa u jepte privatëve.

    Nga ky moment, Forca Detare u mënjanua nga bisedimet me privatin për këtë bazë, ndërsa duke përdorur pushtetin dhe lidhjet brenda Qeverisë, Kastrati e Dulaku ja dalin mbanë që në 1 korrik të 2020 të marrin me qira 1 euro për 20 vite rreth 4 mijë metër katrorë më shumë se sipërfaqja e parashikuar në kërkesën fillestare. Përveç të tjerave, Kastrati përfitonte edhe hapësirën e përcaktuar në planin e përhapjes së Forcës Detare.

    Vendimi i Qeverisë parashikon që kontrata të lidhej me Ministrinë e Financave, duke mënjanuar Ministrinë e Mbrojtjes. Ish zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari akuzoi më vonë përmes kallëzimit të bërë edhe në SPAK se vendimi shkelte disa ligje, pasi duhej të përfshihej si Ministria e Mbrojtjes, ashtu edhe autorizimi i Presidentit të Republikës.

    Dy javë pas vendimit të Qeverisë nënshkruhet kontrata, ku detaji që bie në sy është që Kastrati e Dulaku nuk marrin përsipër që të sigurojnë moscenimin e aspekteve operacionale të Forcës Detare në këtë bazë.

    Megjithatë, një seri padish të depozituara në SPAK në pranverën e 2021 nga Artur Meçollari ka lënë pezull zbatimin e kësaj kontrate.(Vox News)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit