Autoritetet e Republikës së Greqisë kanë shpallur dje me statusin “non grata” gazetarin Artan Hoxha, duke e cilësuar “person të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik. Vendimi parashikon ndalim të përhershëm për hyrjen e tij në territorin grek.
Hoxha po udhëtonte drejt Janinës, kur u ndalua nga Policia kufitare greke në pikën e kalimit në Kakavijë. Në sportelin e kontrollit të pasaportave, atij iu komunikua se hyrja në Greqi nuk lejohej, pasi konsiderohej “rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.
Gazetarit iu mor pasaporta dhe u mbajt për rreth një orë në ambientet e Policisë greke. Rreth orës 10:30 të mëngjesit, me orën vendore, atij iu dorëzua vendimi zyrtar që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.
Në dokumentin zyrtar të Policisë greke thuhet se Artan Hoxha:
-Është karakterizuar si person i padëshirueshëm;
-Konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.
Më pas, autoritetet greke i vendosën një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe i kërkuan të largohej menjëherë nga territori grek.
Ky nuk është rasti i parë kur gazetarë shqiptarë përballen me mase të tilla nga autoritetet greke, sidomos ata që kanë denoncuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Shqipërisë apo çështjeve të ndjeshme kombëtare.
Sipas komunikimit që i është bërë Hoxhës nga Policia greke, vendimi për ta shpallur “non grata” është marrë në fillim të vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Në atë periudhë, në listën e partisë “Demokracia e Re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis kandidonte edhe Fredi Beleri, politikani kontrovers në vend për lidhjet e tija me Greqinë dhe i cili ka shtetësi shqiptare dhe greke.
Artan Hoxha e ka denoncuar publikisht rolin e Belerit në “Masakrën e Peshkëpisë” në vitin 1994, ku u vranë dy Dëshmorë të Atdheut dhe është përballur me të në procese gjyqësore në Gjykatën Penale të Tiranës gjatë viteve 2023–2024.
Ai ka publikuar gjithashtu artikuj investigativë në median greke gjatë fushatës për zgjedhjet evropiane, ku ka ngritur akuza për aktivitet të dëmshëm ndaj interesave shqiptare.



