Aktorja angleze Kelly Brook, e shpallur nga shkencëtarët e Teksasit si femra më e bukur në botë, duket se ndihet rehat me peshën e saj, ndonëse nuk i ka më përmasat e famshme 86-61-86. Brook rrëfeu së fundi se një mjek i sugjeroi të merrte një ilaç dobësimi përpara pjesëmarrjes së saj në “I’m a Celebrity…Get Me Out Of Here!” në xhunglën australiane, por ajo refuzoi.
“Më ofruan Mounjaro fjalë për fjalë javën e kaluar nga një mjek. A nuk është çmenduri?” rrëfeu ajo për Elizabeth Day në podkastin “How to Fail”.
“Më pëlqejnë trajtimet e fytyrës dhe masazhet, bëj pak botoks [midis vetullave] sepse i rrudh shumë vetullat. Pra, bëj [trajtime], por kur bëhet fjalë për trupin tim, aty jam vërtet e rezervuar”, vazhdoi ajo.
“E dua trupin tim kështu sic është. Vazhdoj të ha makarona e të pi verë. Mora pjesë në një maratonë këtë vit dhe jam 45 vjeç. Trupi im më ka ndihmuar të kaloj kaq shumë gjëra.
I dua format e mia, burri im i do format e mia. Thjesht mendoj se është për të ardhur keq që gratë ndiejnë nevojën të ndryshojnë atë që janë”, ishte komenti i saj.



