Ish-gjyqtari Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin Dekalog në DritareTV, ka komentuar përmendjen e emrit të tij nga kryeministrit Edi Rama lidhur me reformën në drejtësi.
Gjoni ka theksuar se, megjithëse reforma në drejtësi ishte një nevojë urgjente për Shqipërinë, ai ishte i gatshëm të largohej vetëm që të mos prekej pjesa tjetër e drejtësisë.
“Emrin tim, Edi Rama e lidhi me reformën në drejtësi. Po, nëse reforma në drejtësi do të bëhej për mua, unë isha i gatshëm të largohesha, që të paktën mos të prekej pjesa tjetër e drejtësisë.
Edhe pse drejtësia në atë kohë kishte shumë defekte, unë e shikoja atë si një sistem që kishte nevojë për përmirësim,” tha Gjoni.
Ai shtoi se lufta e tij më e madhe nisi kur u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ish-gjyqtari e cilësoi veten si një figurë të parimeve të forta, duke theksuar se ai nuk e ka lidhur kurrë vendimmarrjen e tij me politikën.
“Isha me bindje të djathta, por kurrë nuk i kam manifestuar ato në vendimet e mia. Nëse pyetni, ka personazhe të Partisë Socialiste që kanë qenë shumë të kënaqur nga vendimmarrjet e mia.
Simboli i reformës në drejtësi u bë sepse isha unë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Kisha parime dhe mbaja fjalën, isha një zë i fuqishëm”, u shpreh ai.
“Reforma në drejtësi duhet të bëhej, kjo nuk diskutohet. Edhe atëherë e kam thënë që rreth 35% e gjyqësorit duhej të kalonin në sitën e vetingut. Kishte elemente të lehta për t’u identifikuar që ishin të përfshirë në korrupsion,” shtoi ai.
Ai kritikoi mënyrën se si reforma u miratua dhe theksoi se shumë nga politikanët, nuk kishin lexuar fare përmbajtjen e saj.
“Kur PD dhe PS bashkuan votat për reformën në drejtësi, shumica prej tyre nuk e kishin lexuar fare çfarë përmbante reforma,” theksoi Gjoni
Në fund, ai e konsideroi reformën në drejtësi si një proces selektiv dhe u shpreh se kishte persona që u larguan nga sistemi i drejtësisë me urdhër të partive politike.
“Për mua, reforma në drejtësi ishte një reformë selektive. Kishte persona që duhet të hiqeshin me urdhër të partisë,” përfundoi Gjoni.