Nga Migena Aleksi
Protestë para Kryeministrisë?! Të mblidhesh natën, kur zyrat e Kryeministrit janë bosh, dhe të godasësh muret pa asnjë funksion vendimmarrës, nuk është sfidë ndaj pushtetit. Bëhet fjalë për shkarkim të kontrolluar.
Një protestë politike ka kuptim vetëm kur i drejtohet një vendimmarrësi real dhe zhvillohet në kohë e hapësirë ku pushteti vepron. Ajo synon të prodhojë kosto politike, jo thjesht pamje televizive.
Asnjëra nga këto nuk u pa. Përkundrazi, pamë bllokim rrugësh që rëndoi qytetarët, jo qeverinë. Pamë përplasje të torollepsur me një ndërtesë boshe. Ky është i njëjti skenar i parashikueshëm që nuk trondit askënd në pushtet.
Më problematike se gjithçka tjetër është mungesa e adresimit të qartë. Kush po sfidohet realisht? Kryeministri që nuk është aty? Muret që nuk reagojnë? Apo opinioni publik, të cilit i kërkohet thjesht të shohë?
Ç’është ky turp karagjozësh?!
Protesta, kur shkëputet nga strategjia dhe nga koha reale e pushtetit, humbet funksionin e saj demokratik. Ajo nuk ka lidhje fare me qeverinë, por veç kësaj nuk bind të pavendosurit dhe nuk ndërton alternativë. Thjesht dëshmon krizën e një opozits të marrë peng, për të prodhuar veprim politik me peshë.
Nuk ka dyshim që kjo lloj “proteste” i shërben më shumë qeverisë sesa kundërshtarëve të saj. Ajo krijon iluzionin e lëvizjes, por pa rrezik real dhe konsumon pakënaqësinë pa e kanalizuar
Ky është dhe qëllimi. I lejon pushtetit të vazhdojë i qetë, nën zhurmën e kontrolluar të një kundërshtimi të parrezikshëm. Pak a shumë ajo që ndodhi në dhjetor 90. Për turp, me të njëjtët aktorë edhr 36 vite më pas.
Një opozitë që proteston pa adresë, pa kohë dhe pa strategji, nuk sfidon pushtetin. E normalizon pushtetin.
Pikërisht kjo është forma më e dëmshme e dështimit politik.



