8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Hakerat iranianë “trondisin” vetingun – Ja si u shkarkua pa prova gjyqtari Shkëlzen Selimi

    Faqja e hakerave iranianë “Homeland Justice” ka vijuar publikimin e dokumenteve shtetërore të një rëndësie të veçantë. Këtë herë ka qenë radha e emailive të ish-kreut të SHISH, Helidon Bendo.

    Pas hakerimit të e-maileve të ish shefit të SHISH, është publikuar edhe një letër që KPK-ja i ka dërguar atij dhe kryeministrit Edi Rama, ku kërkon zgjidhjen e këtij ngërçi.

    “Meqenëse Kushtetuta shprehet për kalimin e barrës së provës tek subjekti i rivlerësimit, është e domosdoshme që Komisioni të disponojë/ administrojë dokumentet që provojnë apo bindin atë për lidhje të mundshme të subjektit të rivlerësimit me kontakte të papërshtatshme. Komisioni duhet të krijojë bindjen e brendshme nëse është apo jo, subjekti i rivlerësimit, i përfshirë në veprime korruptive apo ka lidhje me kontakte të papërshtatshme”, thuhet në letrën e firmosur nga kryetarja e KPK-së, Genta Tafa.

    Në letër përmendet edhe rasti i shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili nga sa kuptohet edhe nga konteksti i letrës, është shkarkuar pa prova se ka kontakte të papërshtatshme.

    “…nëse u referohemi tre rasteve të ndryshme, çështja Selimi, Toska dhe Broci, raportet nga DSIK kanë ardhur të ndryshme, bindja e komisionit është disi e ndryshme nga konkluzionet e nxjerra nga raportet. A mundet Komisioni të veprojë në padijeni totale të informacionit, që ka shërbyer për përgatitjen e këtij raporti? A mundet komisioni t’i kalojë barrën e provës subjektit të rivlerësimit për një konkluzion, të cilin as ai vetë nuk ka mundur ta vlerësojë dhe të krijojë bindjen e brendshme mbi këtë çështje? Një vendim i tillë do të ishte lehtësisht i kontestueshëm nga çdo gjykatë më e lartë dhe do të binte ndesh me parimin e një procesi të rregullt ligjor”.

    Genta Tafa i kërkon Ramës dhe Bendos të ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij ngërçi duke premtuar se informacionet sekrete do të ruhen si të tilla gjatë seancave e subjektet e vettingut.

    “Lutemi të merrni në konsideratë kërkesën tonë të vazhdueshme që shërbimet inteligjente të mundësojnë dhënien e informacioneve sekretë që ata disponojnë, me garancinë e plotë të ruajtjes së sekretit nga ana jonë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mendon se suksesi i këtij procesi duhet të jetë i lidhur me bashkëpunimin nga të gjitha organet shtetërore, të cilat duhet të na vënë në dispozicion informacionet që ato disponojnë, pa dyzime apo kufizime”.

    foto galeri

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit