E pyetur se ku e sheh veten pas 10 vjetësh, moderatorja dhe ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP”, Heidi Baci, surprizoi me përgjigjen e saj, duke zbuluar se nuk e përjashton aspak një angazhim në politikë.
Pyetja iu drejtua në kuadër të një reflektimi mbi kalimin e kohës dhe ndryshimet që sjell jeta, duke marrë shkas edhe nga një trend i vitit 2016, ku shumë persona rikujtonin se ku ndodheshin një dekadë më parë.
Heidi theksoi se gjithçka mund të ndryshojë brenda një sekonde, por nëse do të mendonte për të ardhmen, politika është një fushë që do të dëshironte ta provonte. Ajo u shpreh se me kalimin e viteve njeriu fiton më shumë bagazh jetësor, përvojë dhe njohje, çka sipas saj janë elementë të domosdoshëm për të dhënë një kontribut real për shoqërinë.
“Kur je më e rritur, ke mësuar më shumë, ke parë supozohet shtete të tjera dhe je pjekur sa për të menduar për një kontribut real për të tjerët. Ke edhe një lloj pushteti, në sens pozitiv”, u shpreh Heidi.
E pyetur nëse do ta pranonte një propozim konkret për t’u përfshirë në politikë, ajo theksoi se për të nuk bëhet fjalë thjesht për një ofertë, por për rritje personale dhe angazhim të vërtetë. Sipas saj, më e rëndësishmja është ta gjesh veten në atë që bën dhe të ndihesh e përmbushur në rolin që merr përsipër.



