Fillimisht, dukej si një histori që kishte marrë fund qetë dhe nuk kishte asgjë më shumë për t’u shtuar. Por më pas foli Heidi dhe e njëjta marrëdhënie nisi të tingëllojë krejt ndryshe.
Kur Romeo Veshaj vendosi te fliste për herë të parë për ndarjen nga Heidi Baci, nuk u duk ndonjë dramë e madhe në horizont. Dëgjuam për një histori që kishte marrë fund, e treguar shkurt dhe pa hapësirë për interpretim.
“Lidhja ime me Heidin përfundoi me respekt. U njohëm brenda, qëndruam tre muaj jashtë dhe nuk funksionoi. Kishim mendime të ndryshme për jetën.”
Pra, një lidhje që nisi në një reality show (Big Brother VIP Albania 3), vazhdoi për pak kohë jashtë (3 muaj) dhe u mbyll sepse nuk përputheshin. Por disa ditë më vonë, kur Heidi foli, historia nuk u duk më aq lineare.
“Të paktën nga këndvështrimi im nuk ka qenë një gjë tremujore, kështu si u paraqit. Nga ana ime do flas gjithmonë vetëm për veten time. Ka pasur sakrifica, ka pasur përkushtim, ka pasur ndjenja dhe gjithë këto gjëra.”
Aty ku Romeo flet për kohëzgjatjen dhe arsyen pse nuk funksionoi, Heidi ndalet te ajo që ndodhi brenda atyre muajve. Te përjetimi dhe te pesha që kishte lidhja për të, jo thjesht te fakti që përfundoi. Ndryshimi bëhet edhe më i dukshëm te fjala “respekt”.
Për Romeon, ajo është pika e fundit e deklaratës së tij, si një mënyrë për të mbyllur historinë pa drama. Për Heidin, është pikërisht ajo që nuk përputhet me përjetimin e saj:
“Jo, ndarja nuk ka qenë me aq respekt sa është paraqitur, sa është shitur.”
Në këtë pikë, nuk kemi më vetëm dy versione, por dy mënyra për të parë të njëjtën gjë. Romeo e sheh ndarjen si një përfundim të qetë, Heidi si një proces që nuk ka qenë aq i thjeshtë sa duket nga jashtë.
Heidi ndalet edhe te diçka tjetër: mënyra si historia është treguar publikisht.
“Jam mërzitur, jam lënduar për mënyrën se si është folur për ish-marrëdhënien time. Jam menduar se si është kaluar në fakt ajo marrëdhënie, se si është paraqitur në publik. Janë disa gjëra që nuk më pëlqejnë, nuk më pëlqen kur flasin për këndvështrimin tim.”
Ajo e zhvendos rrëfimin e saj nga “çfarë ndodhi mes nesh” te “si u tregua ajo që ndodhi”. Madje, Heidi përmend edhe një premtim për të mos folur publikisht, një detaj që lë të kuptohet se vendimi i Romeos për të folur ka thyer premtimin.
“Është bërë një premtim që nuk doja të flisja, sepse ka qenë një gjë shumë e rëndësishme që nuk mund të ishte ushqim mediesh apo klikimesh. Kam dashur thjesht ta respektoj.”
Në të njëjtën linjë, ajo u shpreh e zhgënjyer edhe për faktin që Romeo nuk reagoi ndaj batutave të moderatorëve, të cilët e reduktuan marrëdhënien në “dy orë”, një moment që, për të, e banalizoi një ish-marrëdhënie që ajo e konsideron të rëndësishme.
Mes këtyre dy rrëfimeve, e njëjta marrëdhënie merr dy forma krejt të ndryshme. Ndoshta kjo është edhe pjesa më e zakonshme e historive që mbarojnë: jo që njëra palë ka të drejtë dhe tjetra jo, por që e njëjta lidhje mund të jetohet ndryshe nga dy njerëz.



