Piranjat në Abc të moderuar nga Arilena Ara dhe Florjan Binaj, kanë sjellë në puntatën e kësaj të diele historinë e një njeriu të zakonshëm që brenda minutës u kthye në një hero për të gjithë shqiptarët me veprimin që bëri.
Gjithçka nisi në 5 korrik të këtij viti kur protestuesit në Maqedoninë e Veriut dolën në rrugë kundër propozimit francez për marrëveshjen me Bullgarinë, e cila ishte një zgjidhje për hapjen e negociatave në BE.
Një grup protestuesish maqedonas pas dhunës së ushtruar në rrugë dhe institucione u drejtuan drejt “Çarshisë”, lagjes ku jetojnë qytetarët shqiptarë në Shkup.
Huliganët maqedonas të armatosur me molotov, drurë dhe sende të forta tentuan të dhunonin bustin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, por në këtë moment një shqiptar i zakonshëm por me zemër të madhe ndalon turmën e revoltuar.
Cufi Kola shqiptar nga Shkupi, doli para protestuesve maqedonas dhe qëlloi 4 herë në ajër, duke bërë që huliganët të stepeshin dhe të tërhiqeshin menjëherë.
Vetë Cufi rrëfen për “Piranjat’ se nga ky veprim është bërë i njohur në të gjithë shqiptarinë, por sigurisht që pati edhe pasoja.
Ai u dënua me 4 muaj burg pavarësisht se armën e kishte me leje dhe u detyrua të qëllojë në një moment kur kishte përballë me qindra vetë, drejtësia maqedonase nuk e mori parasysh.
Gjithashtu Cufi tregon se ditën e ngjarjes i hoqën menjëherë nga puna vëllain e tij.
Por megjithatë Cufi tregon se dashuria për Shqipërinë dhe simbolet kuq e zi e bën atë që të mos tërhiqet nga asnjë betejë kur në lojë janë interesat dhe simbolet kombëtare.