16.5 C
Tirana
E premte, 19 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Historia e panjohur e Sazanit: A do vazhdojë të mbetet një tokë e ndaluar për shqiptarët?

    “Është unik në botë” – tha Jared Kushner, dhëndrri i Donald Trump në intervistën e tij në Bloomberg për Sazanin.

    Në fakt i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar ka një histori enigmatike edhe për vetë ne shqiptarët, shumë prej të cilëve nuk e kanë shkelur kurrë.

    Përvecse një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, Sazani ka një histori pushtimesh të panumërta.

    Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth janë zhvilluar një numër i madh betejash detare.

    Në antikitet Sazani njihet me emrin Sason.

    Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian.

    Gjatë Luftërave Ballkanike u pushtua nga Greqia. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani.

    Por gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur ishulli ashtu si gjithë Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.

    Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.

    Gjatë Luftës së Ftohtë bashkë me Pashalimanin në Orikum ishte bazë strategjike e ushtrisë ruse në Mesdhe ose sic  njihej atëherë ushtrisë sovjetike.

    Më pas u mor plotësisht nën kontroll nga ushtria shqiptare dhe  ka qenë i banuar vetëm nga familjarët e oficerëve që shërbenin në ishull.

    Civilët nuk janë lejuar atje deri në 1992.

    Ishulli ka dy pjesë, ajo Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe ajo Jugore, me lartësi 331 metra.

    Nga deti Sazani duket tërësisht shkëmbor por brenda tij ai fsheh një gjelbërim të jashtëzakonshëm.

    Duke qenë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të paprekura.

    Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.

    Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë në Mesdhe.

    Potenciali turistik i ishullit është i jashtëzakonshëm. Kush hedh miliarda do fitojë miliarda, por frika e kritikëve është se me futjen e investimeve elitare atje, për shumicën e shqiptarëve Sazani do vazhdojë të jetë një tokë e ndaluar.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit