26.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Historia e pazakontë: Si parashikova vdekjen e babit dhe gjyshes kur isha fëmijë

    Në një episod të veçantë të “The Dalina Show”, Dalina Buzi sjell për herë të parë në ekranin shqiptar një rrëfim që të fut në botën e së pashpjegueshmes. E ftuar në bisedë nga San Diego, Kaliforni, ishte Zana Paradise Gjergji, një shqiptare që prej 25 vitesh thotë se punon në fushën e paranormales, me dhunti të rralla që, sipas saj, e ndjekin që nga fëmijëria.

    Zana është bijë e artistit të njohur të muzikës lirike popullore shqiptare, Pjetër Gjergji dhe mbesë e patriotit dhe atdhetarit të shquar Hil Mosi. Ajo jeton prej 35 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e martuar me një burrë italian dhe nënë e tre fëmijëve.

    Por, përtej biografisë që ngjan me një roman të bukur, Zana rrëfen për herë të parë publikisht për dhuntitë e saj që lidhen me botën shpirtërore dhe parashikimin e së ardhmes.

    “Që 7 vjeç jetoj me këto dhunti. Kam 25 vite punë në këtë fushë, pra paranormalen. Në moshën 7 vjeç më vinin në mendje disa imazhe, më largonin nga momenti i jetës. Si fëmijë thosha ‘çfarë është kjo?’. Deri në moshën 10-vjeçare, më vinin imazhe të bukura si copëza publicitare.”

    Ajo e kujton me një lloj qartësie mbinatyrore momentin kur për herë të parë dhuntia e saj mori formën e një paralajmërimi tragjik, vdekjen e të atit, artistit të mirënjohur.

    “Më erdhi një imazh i babit në fund të baçes dhe i thashë mamit ‘Babi do vdesë.’ Pashë trupin e tij që më thoshte se ‘do iki’. Vajta në shkollë, takova babin në mëngjes, vetëm atë ditë s’kishte fuqi të më ngrinte në krahë. Më larguan për 2 javë te tezja dhe kur kthehem në shtëpi pashë shenjat e letrës së lajmërimit, kuptova që babi kishte vdekur.

    Unë i thashë mamit që babai do vdesë në fund të javës. Ai ra në koma dhe më 21 shtator të 1978-ës vdiq. Nuk vuante nga asnjë sëmundje përveçse prej astmës, si këngëtar që ishte.”

    E njëjta përvojë e thellë dhe e pashpjegueshme i ndodhi edhe me gjyshen, bashkëshorten e Hil Mosit, që për Zanën ishte më shumë se një nënë e dytë.

    “Me gjyshen ndodhi edhe më e qartë sepse isha 18 vjeç. Ishte 31 mars 1986. Ajo vdiq të martën, kurse të enjten e një jave para unë e pashë të qartë që të martën në orën 2:15 ajo do ikte.

    Mirëpo ajo nuk fliste kohët e fundit, ishte 92 vjeç, mosha, sëmundja. Të martën unë i thashë koreografit tim të më linte të shkoja në shtëpi sepse do më vdiste gjyshja. Sa futem te dera në orën 2, gjyshja, që kishte një javë pa folur, ka bërtitur ‘Zana!’ nga kati i dytë në të parin dhe lëshoi klithmë sepse po jepte shpirt. Gjyshen e kisha si nënë të dytë, shumë nënë e mirë, shumë e përkryer.”

    Për Zanën, mesazhet nga “bota tjetër” nuk janë imagjinatë. Janë një lloj informacioni shpirtëror që i vjen në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes një kanali që ajo e përshkruan me qartësi:

    “Janë një lloj telepatie që vijnë nga bota e shpirtit dhe kalojnë në syrin e tretë. Aty duhet të punosh me atë mesazh. Aty truri punon me fotografi. Ky mesazh që vjen tek unë si paralajmërim, është një mesazh që unë duhet ta di. Ato të paralajmërojnë për gjërat që do ndodhin. Edhe kur isha studente, gjithë shoqet e mia e dinin dhuntinë time.”

    Zana Paradise Gjergji nuk kërkoi të bindë skeptikët. Ajo rrëfeu, me një qetësi të thellë dhe të sinqertë, një jetë të ndarë mes realitetit dhe botës tjetër, ku mesazhet vijnë si udhëzime të padukshme, por të forta.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit