Nga Bedri Islami
Në vitin e largët 1946, kur shkrimtarja dhe disidentja e njohur shqiptare, Musine Kokolari ndodhej e akuzuar , sepse u ishte drejtuar fuqive aleate për gjënë më të zakonshme në botë, shtyrjen e zgjedhjeve politike të 2 dhjetorit 1945, kryetari i trupit gjykues, Frederik Nosi, edhe ai nga familja e njohur e Nosëve të Elbasanit, i dha se po i jepte të drejtën e fjalës.
Ai i tregoi vendin ku duhej të dilte dhe i tha shkurt :
-Të jap të drejtën e fjalës!
-Por nuk më ke dhënë lirinë e fjalës, janë dy gjëra të ndryshme, – iu përgjigj shkrimtarja e njohur dhe ai, kryetari i trupës gjykuese, ia ndërpreu atë që i kishte dhënë të drejtën e fjalës në një gjyq politik, i hoqi përsëri lirinë e fjalës.
E kam menduar disa herë këtë episod në ditët e fundit. Megjithëse të gjitha krahasimet çalojnë, ajo që mbetet është në dallimin mes të drejtës së fjalës dhe lirisë së saj. Mund të kesh të drejtën e fjalës, por jo lirinë e saj.
Përse u kujtova për këtë episod të jetës së një gruaje të pa shoq në historinë moderne të shqiptarëve?
Ka disa ditë që në mediat e Kosovës, e jo vetëm aty, ka nisur e po merr hov sherri i prodhuar jo rastësisht nga RTK, media zyrtare e saj, e cila, pa asnjë verifikim apo saktësim sado të vogël, ri publikoi një lajm të mediave boshnjake, sipas së cilës, dy gazeta online, të njohura në Kosovë, Nacional dhe Periskopi, nuk janë asgjë tjetër, veçse struktura të ushqyera dhe të financuara nga qarqet serbe.
Është e vështirë të përfytyrohet saktësisht në Shqipëri ndjenja që ngjall te shqiptarët e Kosovës një thënie e tillë, aq më tepër e dhënë nga radiotelevizioni shtetëror i Kosovës, që, mes të tjerave, edhe financohet nga taksat e tyre. Megjithëse është ndoshta media më e pasme në botën shqiptare në Kosovë, ajo ka ndikimin e qeverisë që e mbështet, e, aq më tepër, se dy gazetat e cituara dhe drejtuesit e saj, njihen si kundërshtarë dhe opozitë e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Për një vend që, në disa dekada ka njohur mbi shpatulla, që nga lindja e deri në çastin e fundit, dhunën e pushtetit serb, financimi i një media prej këtij pushteti është i dhimbshëm, e jo vetëm kaq, zgjon ndjenjën e ndëshkimit, sidomos ndaj atyre që me vetëdije janë vënë në shërbimin e tij. Ka qenë fat që , me gjithë harbimin që kishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja VV, të cilët e ri përsëritën me ngazëllim mashtrimin e njohur të një media serbe, që, sipas shumë të dhënave kishte pasur edhe një mbështetje nga elementë brenda Kosovës, njerëzit e zakonshëm u treguan më të matur se sa ata të politikës.
Aq më tepër, kur, prej disa javëve, në Radiotelevizionin e njohur Dukagjini, në drejtimin e Ermal Pandurit, ka nisur një cikël emisionesh për bashkëpunëtorët e shërbimit të fshehtë serb në Kosovë, ku, megjithëse e vonuar, janë dëshmuar skenat e jashtëzakonshme të dhunës së ushtruar, vrasjet, dënimet masive, persekutimet, të cilat synoheshin të mbaheshin të mbyllura.
Pra, kuptohet se çfarë ndjenje neverie apo rebelimi mund të ngjallë në Kosovë një për shfaqje e tillë, aq më tepër e dhënë nga media zyrtare, e cila mendohet që është më shumë nga të tjerat e detyruar të jetë e saktë në lajmin e saj, e kontrolluar në vërtetësinë, në lirinë për të gjetur të vërtetën, dhe në mos shpalljen e një mashtrimi politik për hir të politikës.
Të gjitha pushtet synojnë të kapin mediat , sidomos zyrtare, ku e kanë edhe më të lehtë. Një pushtet i mençur nuk e baltos dhe as nuk e linçon një media që shfaqet kundër ideve të saj, e që, për më tepër, ka qenë e tillë, rebele, ndaj çdo qeverie.
Berat Buzhalën, njëri ndër gazetarët më kontrovers të media shqiptare në Kosovë, nuk e kam takuar kurrë. Edhe kur , shumë vite më parë, Hashim Thaçi më tregoi se kishte ndër mend të kishte në listën e kandidatëve për deputetë të partisë që drejtonte edhe Berat Buzhalën, isha jo i një mendje, por Thaçi ishte më njeri i politikës se sa unë që isha larguar prej saj. Berati ishte brenda partisë që e dërgoi në parlament zëri ndryshe i saj. Sulmi ndaj tij është i hershëm, por është rritur jashtëzakonisht në vitet e fundit. Ndoshta , shumica qeverisëse e di se ai është më i besuar se shumë të tjerë dhe shumë më i drejt për drejtë, ose nga që, kohët e fundit, nga një kundërshtar i vazhdueshëm i qeverisë së majtë në Shqipëri, nuk është bërë dashamirës i saj, por më realist se më parë. Ndoshta nga që e kanë lodhur zullumet në Kosovë.
Skandali me lajmin e Slobodna Bosna në RTK, i cili zgjoi prej një muaji valë reagimi, kundërshtimi, vetë largime nga postet drejtuese, dëshmoi se media e pavarur është e vendosur të qëndrojë përballë pushtetit, që e mbështeti këtë skandal, e përhapi vrullshëm, e bëri pjesë të politikës së ditës, dhe që, në fund, duke dashur të vërë vetulla nxori sytë e politikës redaktuese të vetë radiotelevizionit shtetëror.
Edhe futja në lojë e drejtorit në detyrë i RTK, Adi Krasta, i cili pas një muaji zgjodhi të bëjë një intervistë “ ekskluzive”, sikur të mos ishte ai numri Një i këtij institucioni, dëshmoi të kundërtën e asaj që kishin menduar. Politika është futur si një dem në një sallon pasqyrash dhe mund të thyejë gjithçka.
Në një muaj, aq sa zgjati heshtja e drejtorit në detyrë e RTK, aty mund të kishin ndodhur shumë gjëra të errëta, që edhe janë pritur e ushqyer se mund të ndodhnin.
A dëshmoi reagimi i botës së mediave në Kosovë se aty liria e fjalës është mbi të drejtën e fjalës, dhe se, shteti, institucionet e tij janë më liberale dhe krijojnë hapësira më të mëdha?
Po të besosh në deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë aty duket sikur është parajsa e lirisë, por në fakt nuk është ashtu. Mjafton të shikosh reagimet , të bëra publike në rrjetet sociale, shumë nga të cilat pas anonimëve, të cilët trimërohen dhe kur mund të bësh një vërejtje të zakonshme ndaj punës së qeverisë. Mjafton të dëgjosh deklarimet e disa deputetëve trutharë të shumicës për të kuptuar se e keqja mund të shndërrohet shumë shpejt në të zakonshme dhe kjo krijon dhunën e fjalës. Linçimi është metoda kryesore, e drejta e fjalës është zemërimi i militantëve, ndërsa ndaj lirisë së fjalës kjo është çështja më e diskutueshme.
Tashmë shumë kush është i bindur se , pas këtij skandali, ku është rrezikuar jeta e dy stafeve të gazetarisë, por edhe liria e fjalës, Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë lirisht në RTK dhe se drejtues të rëndësishëm të këtij institucioni, mes të cilëve edhe Krasta, do të jenë vetëm piruetet që do të sillen rreth saj.
Kjo nuk i bë nder askujt. As Albin Kurtit.
Dëshira për të nënshtruar median është gjithnjë një betejë e humbur. Dëshira e pushtetit që media, përmes mashtrimeve si ky i fundit, linçimeve, propagandës agresive, delegimit të militantëve në vende drejtuese, nuk është dobi e pushtetit, është dëm i tij. Nuk është humanizëm, është dehumanizëm.
Media nuk duhet të ketë thjeshtë të drejtën e fjalës, por, si ka thënë një gazetare e shquar në ditën kur do të dënohej me më shumë se 20 vite burgim të rëndë, duhet të ketë lirinë e saj.