Prindërit e të riut Genti Isaj që humbi jetën pasi mori mjekim për dhimbjen e dhëmbit kanë treguar për Report TV se si u përkeqësua shëndeti i 32-vjeçarit pasi u kthye në shtëpi.
Sot pritet të kryhet ekspertiza mjekoligjore për Genti Isaj, i cili ka humbur jetën në rrethana të çuditshme pas mjekimit për dhëmballën. Burime pranë familjes bëjnë të ditur se 32 vjeçari nuk ishte konsumues i substancave narkotike.
“Djali erdhi nga Erseka. Dentisti i kishte dhënë recetën me ilaçe që i mori në farmaci. Kishte shqetësime nga dhëmballa, thoshte më dhemb koka ndërsa i ishte ënjtur gusha. Një ilaç me pluhur e kishte pirë në Ersekë ndërsa tjetrin me kokrra që kishte marrë, e konsumoi në shtëpi. Erdhi rreth orës 10, në 10:30 i piu. Ilaci pluhur që kishte konsumuar, e kishte bërë me djersë.
Sa erdhi, zbriti nga makina dhe u ndërrua se ishte bërë ujë në djersë. Kur erdha unë nga lopët që ishte ora 15:30 ,16:00 djali po rrinte në ballkon dhe më foli, hë me mami mbarove andej, mbarove me lopën? Sa hoqa corapet i hodha dhe bukë qenit, as 5 minuta nuk qëndrova jashtë dhe hyrë në kuzhinë, ku ishte shtrirë djali.
Unë e thërrisja, e fërkoja nga duart, djali ishte bërë akull. Kur nuk mu përgjigj, ngrita kujën, dola thirra komshinjtë që ta merrnin e ta çonin e Ersekë. Dy djem lajmëruan ambulancën. E nxorrën djalin me makinë dhe rrugës kishin gjetur ambulancën.
Qëkur ishte fëmijë derisa u bë 32 vjeç, nuk ishte shtruar një herë në spital, nuk kishte bërë asnjë gjëlpërë në trup, nuk ankohej për gjë edhe gripërat atë rrallë e zinin. Djali të mërkurën ishte edhe në punë por nk e kishte kaq keq. Kur e pamë të ënjtur, i thamë të vizitohej”, rrëfeu nëna.
Ndërsa babai tregon se presin ekspertizën që t’i tregojë shkaqet e vdekjes ndërsa thekson se i biri nuk kishte sëmundje tjetër.
“Djali vajti tek dentisti në Ersekë, mori recetën më pas vajti tek farmacia dhe erdhi këtu (në shtëpi). Piu ilaçet sapo erdhi në shtëpi. Koka i dhimbte dhe nga fyti ishte enjtur kishte dhe shumë djersë. Djali nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Vetëm nga dhëmballa”, tha babai.