20.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Humba në Bathore

    Nga Edison Ypi

    Trafikun e rënduar Kamëz-Tiranë në mbrëmje e evitoj duke u kthyer ku të mundem majtas në Bathore, dhe hyj në Tiranë nga fundi i Bulevardit të Ri ose ndonjë variant tjetër.

    Edhe këtë herë u ktheva për Bathore te një rrugë e asfaltuar me pak trafik, plot shtëpi, vila, dyqane, njëra më e bukur se tjetra, dhe vazhdova nëpër kthesa si ma rroku rradakja.

    Ndërkohë u err. Nga një kthesë në tjetrën, mu duk se po vija rrotull si kali në lëmë. Po humbja sigurinë. Po më ikte filli. S’po kuptoja ku ndodhesha. Por nuk u epa. Vorbulla e kthesave, dritave, reklamave të Bathores, më thithi në një botë ëndërrash prej Walt Disney.

    Kthehu e rrotullohu mes vilave, kangjellave, kthesave, e humba orientimin. Për ta bërë humbjen të përsosur, pas humbjes së orientimit, humba edhe dëshirën për ta gjetur.

    Asnjë shenjë orientuese: Nata pa hënë. Qielli pa yj. Dajti pus.

    -Pyete për vendndodhjen njërin nga dy navigatorët, atë të celularit ose atë të makinës – se nga erdhi një zë.

    -Tu thaftë gjuha. Unë ata mezi pres t’i thyej t’i bëj copa.

    Nuk mund të marr në telefon ndonjë që e njeh Bathoren. Po ta bëj këtë, gris ëndërrën, tres mjegullën, me duart e mia. Ka të drejtë i ububushmi Oscar Benton kur fthotë; Nuk mund të shohim të njëjtën ëndërr, edhe po të flemë në të njëjtin shtrat.

    Sillu e sillu, një herë më dukej sikur po udhëtoja nga Fresku te Astiri, nga Sauku te Blloku, nga Shtishtufina te Zogu Zi, tjetrën herë si nga Rruga Saraçve në Milano, nga Astiri në Londër, nga Luzi në Las Vegas.

    Benza, Toyota, BMW-ra pa numurim. Majtas, djathtas, para, mbrapa, markete, karburante, supermarketa, kafenera, restorante, shërbime nga më të ndryshmet, gjithfarë ndërlikime dhe sofistikime urbane që i sheh vetëm nëpër metropole.

    As Parajsa s’mundet me qenë më llamburitëse se Bathorja me kaq ngjyra, drita, shirita, figura, forma të sheshta dhe hapsinore, reklama kompanish dhe produktesh shqip, anglisht, Italisht.

    Nga t’ja mbaj mes kësaj zallamahije marramendëse shumngjyrëshe ?

    Thash se luajta mendsh. Ditën në këtë zonë orientohem. Natën krejt tjetër gjë.

    Pash ç’pash, ndala makinën diku në pritje të asgjëje, kot, pa e ditur për çfarë, ndoshta për të ardhur në vete nga trullosja në Bathore si në Las Vegas.

    Kur papritmas shoh dikend që vjen më këmbë përballë. I vetmi këmbësor rrerhepërqark. I thërres Tarzanit të xhunglës së dritave:

    -Heeeeeej…

    -Hë, tha Shën Marku, mbrojtësi i udhëtarëve që kanë humbur rrugën dhe shpresën për ta gjetur, si e ke hallin ?

    -Ku ndodhem ?

    -Në Bathore.

    -Je i sigurtë se nuk jam në Milano, New York, në Londër ? Të lutem mos ma ther ëndërrën, mos ma vrit gjumin, mos më nxir nga deti i dritave, ngjyrave, shtëpive, vilave. Shyqyr që humba në këtë oqean dritash.

    Për me e zgjat ëndërrën, nisa muhabetin.

    -Më ndihmo të dal te Bulevardi i Ri.

    -Me kënaqësi.

    Hyri brenda.

    Nja dyzet. Qefull. Pa pik dhjami.

    -Nga je ?

    -Nga Kalaja e Dodës.

    -Po ju të Kalasë së Dodës sikur jeni të gjithë në Angli, apo e kam gabim ?

    -Nuk e ke gabim. Ne Divat e Kalasë së Dodës jemi njëkohësisht në dy vende, edhe në Angli edhe në Shqipëri. Nuk e kemi problem paradoksin ajnshtajnian të ndodhjes së njëkohshme në vende të ndryshme.

    -Ke bërë Vilë, basen të kaltër, panel diellor, kopësht, kangjella ? A ke Benz me timon djathtas ?

    -I kam bërë këto dhe të tjera. Kam dy Benza. Njërin me timon djathtas, tjetrin pa asnjë timon, e komandoj me inteligjencë artificiale. Eja te vila ime ta pim ni kafe dhe ni raki. Kam njerëz në Birmingham. Shkoj dhe vetë kur ma do kokrra e qefit.

    -Ke bërë Shtëpi Bari në Londër, Manchester, Glasgow ?

    -Ne të Kalasë së Dodës nuk bëjmë nga këto pisllëqe.

    -A më shoqëron deri te Bulevardi i Ri se s’po di nga t’ja mbaj ? e rrejta për me e zgjat rrugën mos me mu shkurtu ëndërra.

    E kapi hilen dibrani.

    Më rrotulloi nëpër një marramendje rrugësh e rrugicash me senjalestika, edhe më magjike, edhe më të llamburitura. Ndali diku, më tha,

    -Ik drejt, kthehu djathtas, vazhdo majtas. E shoh që je i dehur me humbje dhe harrim. Shtëpinë s’e di ku e ke. Kur të dali dehja e humbjes, gjeje vet.

    E falenderova. Ika.

    Unë që kam provu qindra herë me humb, por nuk kam mujt me humb as nëpër mijra rrugicat labirintike të Romës, Athinës, Londrës, unë që nuk humb edhe në fund të oqeanit me u zhyt për me kap ndonjë guackë me perlë brenda, humba në Bathore.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit