Larg klisheve të ceremonive festive diplomatike të hapjeve dhe mbylljeve të kapitujve të negociatave për integrimin në BE të vendeve si Shqipëria dhe Mal i Zi e deri te Moldavia dhe Ukraina, e përditshmja e madhe franceze Le Figaro ka botuar këtë javë një analizë.
Kjo analizë duket shqetësuese për fatet e integrimit të këtyre vendeve.
Artikulli i Figarosë thotë një arsye përse zgjerimi është pothuajse i pamundur që askush nuk e ka përmendur deri tani.
Kjo pamundësi aktuale quhet Francë dhe ka të bëjë me legjislacionin tepër të veçantë francez në lidhje me pranimin e vendeve të reja në BE. Pëe çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Në fund të mandatit të tij më 2007, ish Presidenti francez Zhak Shirak la pas atë që analisti me banim në Francë, Genc Burimi e quan “një minë me sahat kushtetuese e cila sot rezulton se e saboton zgjerimin”.
Traktatet europiane thonë se çdo zgjerim i ri i BE-së lyp një ratifikim unanim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Pra në momentin e integrimit të një anëtari të ri, secili vend i BE-së e jep ratifikimin e tij kryesisht me një votë nga parlamenti vendas.
Por Franca e ka ndryshe dhënien e ratifikimit të saj. Ish-Presidenti francez ndryshoi kushtetutën franceze në mënyrë që drita jeshile për hyrjen e një vendi të ri në BE mos t’i kërkohet parlamentit francez por gjithë qytetarëve të Francës me… referendum mbarëpopullor.
Kjo formulë e re e ratifikimit francez vlen për çdo anëtarësim të ri që do të ndodhë pas atij të Kroacisë. Këtë thotë neni 88.5 i Kushtetutes franceze e modifikuar më 2008.
E vetmja mënyrë që të evitohet referendumi francez thotë ky nen, është krijimi i një shumice të cilësuar votash, domethënë 3/5, jo vetëm në Parlament por dhe në Senatin francez.
Kjo gjê sipas Burimit dhe atyre që njohin politikën e brendshme francese është thuajse një utopi. Pasi një shumicë e tillë zorr se arrihet dhe për tema të Francës e aq më pak për tema që prekin vende të huaja.



