Nga Bedri Islami
Po bëhen gjashtë muaj që drejtuesi i Bashkisë së Tiranës, ndoshta më i votuari në historinë e këtyre zgjedhjeve, Erion Veliaj, është në burg dhe tashmë ai mban numrin 9216.
Një nga të burgosurit e shumtë, të cilëve, shumë muaj pas burgosjes, u bëhet e njohur akuza për të cilën janë burgosur, dhe, për mjerimin e drejtësisë së re, megjithëse rreptësishtë e ndaluar dhe penalisht e dënueshme, fillimisht e mëson nga media prokuroriale, pra, e lidhur me segmente të veçantë dhe thellësisht të interesuar për burgosjen e Veliajt dhe krijimin e mjedisit të krimit të rrezikshëm dhe të një ultra krimineli.
Nuk e kam takuar, veçse pak herë, në mjedise publike kryetarin e bashkisë më të madhe të vendit, ku jetojnë rreth gjysma e banorëve aktualë të Shqipërisë. Për ata që e kanë merak ta dinë, as nga ai, dhe, mbi të gjitha, nga asnjë institucion i shtetit, asnjëherë, në asnjë rast, as kam kërkuar e as kam pasur përfitime të asnjë lloji.
Te rasti ”Veliaj”, më shumë se gjendja e një drejtuesi të lartë, më intereson ajo çfarë po ndodh, krijimi i mjedisit mbytës dhe paragjykimi, deri në sinorët e një skandali, i gjithë asaj që është grumbulluar, mënyra e hapjes së një çështje penale, sidomos ndaj një figure të njohur politike, që, ashtu si ka pasur miqtë e tij, ashtu ka pasur kundër edhe grupe të mëdha interesi, brenda e jashtë forcës politike ku bën pjesë.
Ata, në “kampin përballë”, humbësit e mëdhenj në përplasjet me Veliajn, nuk e kanë pasur të vështirë të gjejnë, pikërisht në shumicën qeverisëse, përkrahje të heshtur politike, e, për më tepër, edhe përkrahje pa zhurmë financiare.
Duhet të kenë parasysh që rasti i sotëm i Erion Veliajt mund të jetë nesër fati i çdo njeriu me pushtet, që, dashje apo pa dashje, mund të shihet si rival i ardhshëm politik brenda të vetëve, apo si njeriu që nuk mposhtet dot përmes votës, tek të tjerët.
Pra te cilido që ka pasur pushtet, për “veprime apo mosveprime”, për “kundërshti apo mos kundërshti”, për lidhje të çastit apo afatgjata, për nënshkrime titullarësh apo mos nënshkrime, për fjalë të shumta apo për heshtje… Nga një kallëzim (që vetë SPAK e pranon me denoncues që nuk ekziston) mund të jetë pjesë e qelisë, dhe, si po ndodh tani, të ketë edhe një numër.
Shumë nene të Kodit të tashëm penal, trajtime të tij sipas “dëshirës” dhe këndvështrimit të një prokurori apo gjyqtari, e shumë me rëndë sipas Kodit të ri të përgatitur në ilegalitet të thellë, mund të dërgojnë në paraburgim cilindo nga ata që qeverisin, qoftë gjithë vendin, qoftë edhe një fshat.
Rasti i i dënimit të ish-kryetarit të bashkisë së Fushë – Arrësit, që dërgoi disa mjete pune për të hapur një rrugë për banorët e bashkisë që drejtonte është absurd nga thellësia, përmbajtja dhe mos trajtimi njerëzor.
SPAK, duke qenë nën miklimin ndërkombëtar, gjë që e di dhe e përdor mjeshtërisht, nuk do të thotë se është mbi legjislacionin shqiptar, pasi është krijuar për të vepruar në këtë vend, përmes ngjarjeve dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë dhe jo të republikës së tyre të prokurorëve.
Shqiptarët kanë pritur trajtim të barabartë të çështjeve, ngjarjeve, personave, figurave politike apo jo, prezumim të pafajësisë, krijimin e kushteve të duhura për mbrojtjen, mjedisin e përshtatshëm për të akuzuarin, që duhet të jetë krejt ndryshe nga sa ishte 40 vite më parë; ndershmëri dhe seriozitet.
Pikërisht për këtë është krijuar një strukturë e tillë, i janë dhënë të drejta që nuk e kishte askush në vitet pluraliste, e kanë bërë të plot fuqishme. Tani po shkon drejt një strukture që të tremb, jo përmes ligjit, por përmes abuzimit me ligjin?
E kam shkruar edhe me parë, në Parlamentin e Shqipërisë, në kohë dhe seanca të ndryshme, nga aktorë të ndryshëm politikë, janë ngritur akuza dhe janë shtruar dyshime shumë më të mëdha dhe më të rënda se sa letra e një “nesti angoni”, që nuk e njeh askush.
Nuk dua të përmend gjithë akuzat që janë bërë, herë pas here ndaj kundërshtarëve në kampin tjetër politik, e jo pak edhe brenda të njëjtit kamp. Në jo pak raste akuzat kanë qenë të përbindshme.
Asnjëherë SPAK nuk ka ngritur dyshime, nuk ka nisur hetimet, nuk ka thirrur ata që kanë akuzuar dhe të dyshuarit, nuk është përcaktuar nëse akuzat kanë një bazë apo janë të hedhura në erë, megjithëse ka pasur mjaft të vërteta.
Asnjë institucion nuk është mbi parlamentin shqiptar, aty është ligjbërësi dhe përcaktuesi i zhvillimit të vendit, por kur SPAK nuk e merr as atë seriozisht, por merrka një anonim, dyshimi të bren edhe më tej.
Veliaj është tani i burgosuri 9216.
Në këtë cilësi, nga para burgimi, ai publikoi një letër të gjatë, përmes të cilës akuzon SPAK për një proces të padrejtë dhe të motivuar politikisht. Ai dhe avokatët mbrojtës të tij, denoncojnë rrjedhjen e informacionit hetimor në media, para se të njoftohen ata vetë, mungesën e provave për akuzat ndaj tij, përfshirjen e të afërmve në hetime, etj.
Nuk paragjykoj në fajësinë apo pa fajësinë e tij. Njohës të mirë të legjislacionit shqiptar, shumë më aftë se disa nga prokurorët që janë marrë me ndërtimin e akuzës, janë të mendimit se, më shumë se me një korrektesë ligjore, kemi të bëjmë me qëndrime thellësisht vetjake, mëri dhe ndjenjë persekutimi, sidomos tani në qeli, për të krijuar gjendje të rënduar emocionale dhe psikike tek Veliaj.
Mendoj se në këtë të fundit kanë të drejtë dhe institucioni i prokurorisë, edhe nëse gjërat kanë rrjedhur jo përmes tij, duhet të ndryshojë rendin e gjërave.
Ta nisim nga fundi:
Erion Veliaj autorizon avokatët që të merrnin dosjen në Tiranë dhe pastaj t’ia dërgonin atij. Është e drejtë e tij. Si duket, ai kërkon të shmangë presionet psikologjike mbi të dhe lojën e pështirë që thonë sytë e ndonjë funksionari, që kërkon t’i thotë “të futa brenda, aty do rrish”.
Pjesë nga dosja janë bërë të njohura nga gazetarët “e akredituar” pranë prokurorisë. Të zgjedhur me kujdes.
Megjithëse i burgosuri 9216 ka autorizuar avokatët, fillimisht pranë burgut ku ai qëndron, arrijnë gazetarët. Një orë më pas, si në marshim special, arrijnë 5 agjentë të BKH-së për t’i komunikuar akuzën.
Prokurorët specialë kanë llogaritur të gjitha: përhapjen e gjymtuar të akuzës në media, gazetarët që do të venin në vend burgimin e Veliajt, agjentët e BKH, si një forcë ushtarake, edhe pse janë shkelur disa predispozita ligjore, sekreti hetimor, të drejtat themelore të njeriut, Kushtetuta e vendit, autorizimi, përmes së cilit, i burgosuri përcjell të drejtat e tij te avokatët. Të gjitha!
Dikujt i intereson mbi të gjitha presioni psikologjik mbi të burgosurin. Me çdo kusht. Nga të gjitha anët. Përmes mediave. Zbulimit të dosjes. Përhapjes të dhënave selektive. Pesë agjentë të BKH! Në cilin rast tjetër, edhe kur janë në fjalë drejtues të njohur bandash të fuqishme , ka qenë ky agresivitet mbi një njeri, cilido qoftë?
Ndërkohë, nga e njëjta strukturë, SPAK, pjesë e së cilës është edhe njëri nga prokurorët, është çështja klubit sportiv “Partizani”. As këtë nuk e paragjykoj. Mund të ketë shkelje apo jo. Ndoshta është nga gjërat më të pa rëndësishme të qeverisjes Berisha, duke ditur se në këtë periudhë kanë ndodhur edhe dy ngjarje makabër, Gërdeci dhe 21 Janari.
Por dosjen në fjalë nuk e publikon askush, as SPAK nuk ia jep mediave dhe as media nuk ka guximin ta publikojë; pesë pjesëtarë të BKH nuk vajtën te Maltezi, e, mos e sprovo, oh Zot, te familja Berisha.
Megjithëse SPAK-un dhe njërin nga prokurorët e çështjes e shpesh herë të dy, ai i akuzon si banditë, krijues bandash, të lidhur me bandat, askush nuk merret me akuzat e shefit të opozitës.
Ka një shkak të thjeshtë: SPAK ka ende drojë nga politika. Godet ku e di se nuk ka pasoja, dhe, ruhet fort ku e di se mund të ketë pasoja.
Veliaj mund të sulmohet lirisht e pa frikë. Veliaj shkonte në këmbë në Bashki. Berisha, edhe kur del në rrugë shoqërohet nga disa njerëz të fuqishëm, veshur në të zeza, të cilët shoqërojnë edhe familjarë të tij.
Veliaj është fitues i disa titujve dhe çmimeve ndërkombëtare, si krye bashkiak, Berisha i sanksionuar na fuqitë e mëdha anglo – saksone.
Në letrën e tij, para disa ditëve, ai bëri disa pyetje për organin e akuzës, të cilat, me sarkazmin që të lejon pushteti, u anashkaluan, më saktë, u injoruan nga shefi i SPAK.
Në fakt, ashtu si një i burgosur ka të drejtë të pyesë, ashtu edhe një prokuror ka të drejtë të heshtë, sidomos nëse pyetjet lidhen me sekrete hetimore. Edhe pse njerëzit e tij i shpërndajnë sipas dëshirës. Por, e drejta e pyetjes dhe e drejta e heshtjes është tek secili.
Nëse pyetjet e të burgosurit 9216 janë “specifike”, disa gjëra janë më njerëzore, që kërkojnë përgjigje të denjë për një ofiqar të drejtësisë.
Veliaj, në qelinë e tij, si pak të tjerë, ose askush tjetër në gjendjen e tij, përgjohet nga dy kamera, në shtatë ditët e javës, 24 orë. Zakonisht kjo ndodh vetëm në dy raste: ose kur kemi të bëjmë me kriminelë të mëdhenj, ose kur i burgosuri përgjohet nga frika se mund të bëjë vetëvrasje.
Nëse Veliaj është kriminel i madh, dhe nga dosjet pak vetë mund ta dinë përse akuzohet, me gjithë Vetingun që i është bërë që nga fëmijëria, atëherë përse kjo nuk shkruhet në dosjen e tij. Cili është rreziku, që mund të mënjanohet përmes përgjimit të tij, me dy kamera?
Mos e gjithë kjo synon të krijohet klima e rëndë psikike te i burgosuri, pranimi i gjendjes së tij të “mjerë” dhe pranimi i fajit lehtësisht, edhe pse provat janë të pa motivuara e herë pas here duken të sajuara? A ka lidhje ky synim me kontrollet e mesnatës në qelinë e tij, për të gjetur “sende“ të pa ligjshme, të ndaluara, edhe pse ai përgjohet ditë e natë?
Kush ka synimin për të krijuar këtë gjendje ankthi, deri në krijimin e psikozës së ndjekjes së vazhdueshme, për të pasur në gjyq një kundërshtar të ligështuar dhe të dërmuar?
Si është bërë e ditur, disa ditë më parë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, Veliaj duhej të bënte vizitën e tij të përvitshme. Me urdhër nga lart, pasi nuk e lejuan për disa javë, më në fund e dërguan të shoqëruar nga 30 forca speciale, tre nga të cilët qëndruan në dhomën e mjekut, e, veç tyre, vërshuan edhe agjentë të BKH, sikur po shoqërohej kreu i bandës më të rrezikshme në të gjithë kontinentin, e jo një njeri që aso kohe nuk kishte as akuzen zyrtare. Ishte thjeshtë një i dyshuar.
Zoti Dumani mund të mos i përgjigjet pyetjeve të veçanta që shtron zoti Veliaj. Ky është një “duel” mes tyre. Por ai, sinqerisht, duhet të përgjigjet për rrezikshmërinë e veçantë, si të askujt tjetër të Veliajt apo jo, për kushtet e krijuara, përgjimin e posaçëm, ndalimet që i bëhen familjarëve të tij për takime të zakonshme, ndalimin e takimeve me avokatë ndërkombëtarë, çka lejohet në të gjitha botën perëndimore, shoqërimin e tij sikur të ishte krimineli më i jashtëzakonshëm , duke krijuar mendimin se forca të mëdha mund të sulmojnë për të liruar nga qelia një njeri.
Njerëzit duhet të dinë përse rrethimi i bërë ndaj tij nuk ka ndodhur me zyrtarë të tjerë të lartë, të arrestuar po nga SPAK, përse me çdo kusht kërkohet të krijohet ngërçi psikik i një njeriu që, kur nuk e kanë mundur në betejat politike, po bëjnë çfarë munden ta mposhtin në një betejë, e cila, deri tani, ngjan e sajuar?