Loina Prifti është shkarkuar nga detyra e saj si drejtoresha e “IdentiTek”, kompania shtetërore e prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, vetëm një vit e gjysmë pasi mori këtë pozicion.
Ajo u shkarkua nga detyra e saj me urdhër të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, pasi pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek”.
Sipas të dhënave janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive. Për këtë të fundit madje janë njoftuar edhe institucione të tjera në vend.
“Super drejtoresha”, madje i kishte dhënë vetes një pagë prej 15 mijë eurosh në muaj. Bashkë me të janë pushuar edhe vartës të saj, të cilët dyshohen se kanë abuzuzar me menaxhimin e kompanisë shtetërore.
Loina Prifti, punonte më parë në Gjermani, ku sipas ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuci, punonte në fushën e Inteligjencës Artificiale. Prifti u emërua më pas në krye të kompanisë në heshtje, ku nuk pati asnjë ceremoni prezantimi për të. Pak pasi ajo mori detyrën pushoi nga puna shumë profesionistë që kishin punuar aty prej 15 vitesh. Sipas “Lapsi.al”, ish-drejtoresha lejonte edhe hyrjen e personave të paautorizuar në institucion, gjë që është e ndaluar rreptësisht në rregulloren e kompanisë, duke kryer kështu shkelje të ligjit.
Personat që ajo punësoi, pas pushimit nga puna të punëtorëve të mëparshëm ishin nëpërmjet njohjeve të saj, kryesisht me klane të ndryshme në Durrës, nga vinte edhe vetë Prifti.
Madje drejtoresha në krye të IT është bashkëshortja e kushëririt të parë të Loina Priftit. Eda Harizaj, drejtoresha e Burimeve Njerëzore është gjithashtu një lidhje e afërt e saj.
Vetë Harizaj ka punësuar në një pozicion të rëndësishëm në “IdentiTek” një kushëri të parë. Në pozicionet kyçe të kompanisë janë emër në krye persona që kanë lidhje familjare me Priftin.
Gjithashtu, në tendera të ndryshëm është denoncuar shpesh se Loina Prifti, i ka caktuar vetes një rrogë prej 15 mijë euro në muaj, përveç kësaj një nga tenderat që ngre më shumë dyshime është ai me vlerë 1 milion euro për shërbimin e internetit.
Pritet që raporti përfundimtar i auditimit të Ministrisë së Brendshme të zbardhë abuzime të tjera që ka kryer Loina Prifti dhe vartësist e saj në kompaninë “IdentiTek”.
Ndërsa nga raporti pritet të zbulohet nëse janë cënuar të dhënat sensitive biometrike që ruan kompania.
Po ashtu, disa muaj më parë ndodhi edhe skandali i ndërhyrjes në të dhënat e sistemit TIMS, një ngjarje kjo që po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.
Ende nuk është bërë me dije nëse ka nisur një hetim nga institucionet e drejtësisë për këtë hetim, ose nëse do të mbyllet vetëm me shkarkimin e saj.