20.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    I dashtun zotni Salih…

    Nga Viktor Malaj

    I dashtun zotni Salih!

    Unë quhem Ramazan Shkreta, shkurt më thërrasin Xone, dhe jam tirons denbabaden. Më fal se po të shkruj kështu thjesht pasi ene shumë shkollë nuk kam.

    Qysh në vitin 1991 kam qonë ene vazhdoj me qonë simpatizanti yt. Unë u bona i tillë, jo vetëm pse kemi të njëjtën moshë, por edhe sepse, në atë kohë, na pate premtu kthimin e pronave tek pronarët e shpronësu nga regjimi kriminal kamunist.

    Me thonë të drejtën, të kam dash shumë. Kom ene ca fotografi me tyna, qysh asaj kohe kur hypshe nëpër çatitë e makinave e bohej pluhun rruga e gjithë dynjaja. I ruj si kujtim ene sot, he t’rujt Zoti t’rujt!

    Ene Nafija, gruja eme, t’ka dashë shumë, marojte për ty. Kur t’nigjojte tuj bërtit nëpër tribuna dhe në Parlament, më thojte: Ky osht shpirt nieri merjahu, ky meno e puno veç për ne.

    Masi erdhe n’pushtet në vitin 1992 kena vazhdu me t’njekë me vemendje unë dhe Nafija, gruja eme jo ajo e dybekut. Kur u bo ligji 7501 “Për Tokën” u mërzitme shumë. Po, si mer Lale e miratut at ligj, i cili ua merr tokën pronarëve ene ua jep atyne qi s’e kishin pa Tironen kurrë përveç n’televizor?!

    Ju thojshit se jeni t’djathtë, e unë kujtojshe se t’djathtët janë për pronën private, pra besojshe se ene unë do t’i merrshe ato 150 dynym tokë që m’i pat lanë baba e m’i pat mor qoftëlargu Hoxha. Me qi ra fjala, ai i paemën nuk bote askën pronar n’tokë t’huj, por ua jepte n’përdorim, ndërsa ju morët tokat tona ene ua dhatë n’përdorim e shpërdorim jabanxhive. Gjynah për Zotin!

    Qysh at’here pata nisë me u ftohë me Nafien, për shkakun tuj, mirëpo qysh në vitin 2012, pasi qeveria juj na mohoi kthimin e pronave, thuajse jam prishë krejt me të. Aq keq ka shku puna sa flejmë n’dhoma t’ndryshme ene bojmë shpesh debat me njoni-tjetrin, pasi unë të dal zot e Nafija t’sulmo.

    Para dhjetë ditësh m’thirri gruja gjithë nerva ene më tha: lexoje ktë gazetën qi thotë se mreti yt Berishë ka bo dy ligje t’veçanta ene gjashë vendime qeverie vetëm e vetëm qi dhonri i tij, domethonë e bija, me mor pronat e trashgume qi shërbejshin si qendër sportive.

    Ik moj budallaçkë,- i thashë una,- se kto gjona i përhapin kamunistat. Mirëpo, ma vonë pashë se t’kishte thirrë ky SPAK-u a ç’osht ky, ene t’kishin futë dhonrin n’burg sepse me 113 metër katror tokë kishte bo 5-6 milion euro.

    Po, hallall i pastë, thashë me vehte, po pse s’na dha ene tokat tona, dhe merre me men masanej si do ishim sot unë e Nafija, milionera do t’ishim. Por, ç’e do? S’ishte e thonë prej Zotit!

    Çare Zoti mer,- ma ktheu Nafija- s’ishte thonë prej Salës thuj se qeveria osht Zoti m’tokë, ene ky osht Zoti qi ti e do fort

    Qysh atë dite nuk pushojmë tuj bo llafe me njoni-tjetrin ene ka rrezik me vdek njikshtu. Mirëpo, tash jena t’vjetër ene kena nevojë me nej afër e me fjetë s’bashku edhe kto vjet qi na kanë metë.

    Nuk kena rrugë tjetër, ose unë duhet me shku ke ajo, ose ajo me ardhë ke unë. Me i kërku falje e me folë keq për ty s’du. Dje i thashë se atij s’ka çare i bo kush sepse osht gjeneral. Ajo ma ktheu: Po, osht gjeneral pa grada, çare gjenerali morjahu, gjeneral i ushtrisë vdekme?

    Kaq di Nafija. Ajo meno se shpallja non grata domethonë pa grada. Kam ra n’hall e nuk di si t’ia boj. Pranaj kërkoj nimën tate me më sqaru disa gjona në mënyrë qi ta vë Nafijen me shpatlla per muri.

    Gjoja e parë, e cila m’dhemb shumë, osht problemi i pronave. Si me ia shpjegu unë Nafijes qi ti ene Partia Demokratike nuk miratut nji ligj t’thjeshtë qi t’thojte: Të gjithë shqiptart qi kanë pasë prona para 1945 do t’marrin pronat e tyne brenda pesë viteve dhe nuk do të quhet pronar askush qi zapto pronën e huj?!

    Si me ia mush unë menien asaj qi ti e do fort popullin shqiptar ene ne pronarët, kur ajo t’më thotë se ju botë dy ligje e gjashtë vendime qeveritare për me ndihmu dhanrin e vajzën tuj?!

    I thashë dje se Sala ka shpallë revolucionin dhe përballjen dhom për dhom me qeverinë dhe këtë të Gjatin. E di si m’u përgjigj? Në radhë të parë, këtij i kanë ra dhomët,- tha,- pastaj, atij i shkoi gjithë jeta me revolucione, njiherë si revolucionar kamunist, masanej revolucionar antikamunist, ma vonë revolucionar kundë Amerikës e Anglisë, e tash s’voni ene kundër gjermonëve. Sa për këtë revolucionin familjar,- vazhdoi,- ma mirë të shkojë n’shpi e të rrijë rehat se s’bohet revolucion me shpata t’ndryshkme.

    Meqë erdhi llafi këtu tek revolucionet, unë e di se ti e ke nda menjen se, sa të kesh me vehte Hasin, Fushë Arrësin e Kavajën, nuk ta nin as për Amerikën, as Anglinë e askënd tjetër.

    Si dashamir i joti, m’lejo me t’kshillu se, kundër dëshirës time dhe gjithë demokratëve qi t’dun fort, më duhet me t’thanë se këta t’i kthejnë patkojt nga dielli. Mos e harro mësimin e shokut Enver për Rrezikun Anglo-Amerikon. Ka qonë i poshtër Enveri po ktu m’duket se kishte t’drejtë. Ene ti e di ma mirë se unë si e ka zbërthy ai këtë rrezik, sepse ti drejtojshe edhe format e edukimit marksist-leninist për disa vjet.

    Nji gjo tjetër e kam të paqartë. Ti thu se “Misioni ynë asht shpëtimi i Shqipërisë”, dhe se “ky asht nji sulm politik i Edi Ramës… Agresioni i bëhet çdo qytetari… po iu bëhet edhe shqiptarëve të Kosovës”.

    Tashti, unë du me ditë: Ti ke hallin tat apo të Shqipnisë e gjithë shqiptarëve, dhe ç’punë kanë në këtë mesele shqiptarët e Kosovës?! Sepse Nafija tallet me mu kur t’nigjo tuj thanë këto fjalë ene m’pyt mu: Xone, a beso ti se edhe ata të Big Brother, Love Island apo Portollallisë ndihen t’agresu meqi asht agresu Berisha jot?!

    Unë iu përgjigja pozitivisht tuj u munu me e bindë se gjithë shqiptarët ndihen t’agresu sepse të gjithë e dun fort doktorrin. Ene ajo m’u përgjigj: meqi e dun fort, pse s’e votojnë shumica qysh në vitin 1992? A e di ti Xano se kam pa n’televizor nji djalë të ri nga Shkodra qi tha nji fjalë ari? Çare tha mi Nafije?- e pyeta unë. Tha se Sali Berisha osht thjesht idhulli i katundarve,- ma ktheu ajo. Po ik moj e marrë,- i bërtita unë, – po pse, nga kalamajt do të marrim mend ne se kush osht njani e kush osht tjetri?

    Ajo qi nuk po mundem unë me i ra në të asht thania jote e fundit se “Nëse do të kisha pranuar atë marrëveshje (për bashkëqeverisje me Edi Ramën), nuk do të isha non grata as do ta kisha dhëndrin në burg. Si mund ta pranoja unë? Do të ishte thikë pas shpine në zemrën e shqiptarëve. Ky pazar me Edi Ramën do të ishte vdekja e opozitës, shkatërrimi i kombit. Nuk dalim nga ai Parlament pa rikthimin e pluralizmit”.

    Nafija, siç të shkrujta ma nalt, ka nja 3-4 klasë shkollë ma shumë se unë ene e ma vedin për t’ditun, pranaj më pyti nji dite: Xano, a ke nigju ti nga t’vjetrit, gazetat a televizori qi e kanë futë ndokënd në burg apo qi ia kanë hekë gradat pse s’ka pranu me marrë pushtet? Jo për gjo,- vazhdoi ajo me shpoti,- por se una e di se Naltmadhnia e tij, Zogu i Parë, ene diktatori Hoxha kanë burgos e persekutu vetëm ata qi dojshin me ua marrë pushtetin me dredhi e pushkë, por jo ata qi s’iu bite ndërmend për pushtet.

    Çare thu mi gru,- iu përgjigja unë,- Sala e ka zët pushtetin, as do me ia ditë për të. Ai ka veç hallin e popullit e të demokracisë. Atë e kanë lutë me pushtet para 1990 ene mbrapa por s’ka pranu.

    Mirëpo, unë fol e Nafija ngulte kamë si mushka se ti e bo çdo gjo vetëm për karrige. I thashë se doktori, pikërisht pse e urren pushtetin dhe karriget i ka urdhnu të gjithë ushtarët e çetës së tij fisnore me i prishë karriget e Parlamentit, pra me bo revolucionin e karrigeve. Masnej i thashë se ai e ka spjegu se bashkëqeverisja me Ramën osht thikë mbas shpine për shqiptarët dhe shkatërrim i kombit.

    Duke bo si e mençme, Nafija filloi me më kujtu thanien e Skënderbeut se “Bashkimi bo fuqinë”, masnej vargjet e Pashko Vasës “Çonju shqiptarë prej gjumit çonju, e t’gjithë si vllazen ni besë bashkonju”, mirëpo unë i bërtita me m’lonë rehat. Ajo, prapë vazhdonte tuj thanë shprehjen e At Gjergj Fishtës se “asht ma lehtë me mbledh ni thes me pleshta se me ba bashkë dy shqiptarë”.

    Në nerva e sipër, m’tha se ky Sala yt ka shpallë heronj e atdhetarë ata qi patën bashkëpunu e bashkëqeverisë me gjermonin e italionin gjatë luftës ene patën vra e internu shqiptarë, e tash ky do me na mushë menien se bashkëpunimi apo bashkëqeverisja e shqiptarve me shqiptarë qenka tradhti e shkatërrim i kombit.

    Ene e fundit: ke thanë se do me rikthy pluralizmin. Po, a s’osht e vërtetë qi pluralizmi u venos në 1990, ene fakti se në Parlament jeni nja 5-6 parti, a nuk do me thonë pluralizëm?!

    Tashti, boj çmos e ndihmoje Ramazonin, duke ia spjegu nji për nji çka të pyta se m’ka zanë belaja me grun dhe kam hall me u rregullu me të dhe me e bo me votu prapë për ty, se ajo s’pusho tuj m’thanë: “T’kam zonë mat”, dhe ti e kupto çka do me thonë me u zonë mat prej grus, ene n’kët moshë.

    Revolucionin qi e ke premtu vazhdoje pa frykë se, sa t’keshë përreth njata trima të çartun si Paloka, Bardhi ene Noka s’ka ça t’bo kush. Me qonë burri aq trim sa me shkulë mikrofona e me iu zonë rrugën grave, siç boni Flamuri me Kryetaren e Parlamentit, nuk kisha nigju kurrë.

    Nafija thojke se vetëm tash po e kuptojke pse Berisha, Paloka e Noka bërtitshin kaq fort. Kur e pyeta pse, ajo u zgërdhi dhe më tha se Berisha ka bo dhonrin milioner, Noka nga Kukësi ka morë tokën qi ka lanë i ati në Sarandë dhe ka bo nja 5-6 vila e apartamente, ndërsa Edi Palokës nga Mirdita ia kanë kthy tokat qi ka lanë gjyshi n’Kavajë.

    Pastaj vazhdoi me ironi duke thonë se, sikur të na i kishe kthye ene tokat tona qi i kena gjithë rreth Tironës, ene unë e ti Xano do kishim bërtitë ene ma shumë se ata.

    Unë e kuptoj pse ti i ke vu vetes detyrë dhe mision me e shpëtu Shqipninë ene kësaj radhe. Ti je aq i squt sa e ke kuptu se, për me shpëtu Shqipnin, duhet me shpëtu vedin nji herë dhe kjo gjo arrihet vetëm me shkatërru e destabilizu venin.

    Mirëpo unë, qi t’du fort, do t’thojsha se duhet me shku atje ke gjykata sa herë të kërkojnë. Jo vetëm qi ata, siç thu edhe ti vetë, nuk kanë asnjë provë kundër teje, por, në fund të fundit, dy gra do të kesh përballë dhe burrat nuk tuten prej grave.

    Unë e di se ti s’merresh me gratë, por nuk bo keq me shku aty ene me ua thonë në sy, siç ua ke thonë disa grave të këqija ma parë, se ato patjetër që duhet të jenë bushtra, lavire bulevardi, prostituta e gjithçka tjetër, përderisa të thërrasin ty n’gjyq. Ene cilin, shpëtimtarin e Shqipnisë?!

    Mos kij frikë prej askujt se, po erdhi puna keq, kemi atë skafistin e Lushnjes, Murrizi a si quhet ai, qi premtoi se të merr me skaf ene ka me t’çu në Spanjë, se n’Angli ke atë non gratën. Jam i sigurt se ai e bo këtë vepër të madhe historike ene të ço në Mança, nji vend i bukur e i ngrohtë, ku mund të jetoni s’bashku duke iu kujtu spanjollëve mbas pesëqind vjetësh veprat dhe bëmat madhështore të Don Kishotit dhe Sanço Pançës. Oh, sa do t’u knaqshin ata fshatarët spanjollë me ju…

    Sa për historinë, mos u mërzit se e tha i nerumi Ceka, jo Cekja i Beratit por Neritani, ai qi pat qenë dikur zëvendësi yt ene u largu e formoi parti tjetër sepse s’mundte me e shty ma gjatë me nji diktator e autokrat si Berisha, pra ai e tha bukur se sot ti je nji idhull pa krye por historia ka me të njoftë vetëm meritat.

    Kjo do me thonë se historia ka me i harru gjanat e vogla si djegien e vendit për t’ardh n’pushtet, burgosjen, rrahjen dhe vrasjen e disa gazetarëve zevzekë dhe opozitarëve të mrapshtë, marrjen me dhunë të pushtetit nga zemërimi i çastit, manipulimin e dhunimin e zgjedhjeve për inat të kamunistave, organizimin e luftës Veri-Jug etj..

    Oh sa m’u bo qejfi kur e lexova, mirëpo u mërzita sepse më shkoi mendja qi kështu ka me ndodh ene me Naltmadhninë Ahmet Zog dhe me diktatorin Enver Hoxha, pra kanë me ua harru burgosjet, internimet apo vrasjet dhe do iu numërojnë vetëm meritat.

    Meqi jemi këtu, për t’më bo nervoz, Nafija më tha: M’hiku petlla kur nigjova Cekën tuj folë vetëm për merita sepse, po qe për merita, ai qoftëlargu ka nja dhjetë herë ma shumë se Sala jot, ene asnji nga këta të sotmit s’i bi as ke komët. Unë u bona me lujt mensh kur e nigjova Nafijen tuj folë ashtu siç nuk ka folë kurrë tash 30 vjet.

    Unë jam i bind se ti ke mjaft burra e gra trima e trimnesha për revolucion, ke me mijëra Nallbanë, apo Nallbat, si quhej ai qi sulmoi m’grushta atë deputetin socialist. Kësi nallbanësh na duhen ne, për sot e për nesër, në Parlament ene n’Qeveri dhe kështu Shqipnia ka me lulzu e me përparu.

    Je i lutë qi, kur ta takosh, përqafoji për mu ene Ilir Metajn me Monikën, të cilët patën burrninë me të shpallë të persekutum politik, duke ta shpërbly kështu nerën qi iu pate ba tuj i pshtu prej aferës korruptive të shtëqind mijë eurove, qi ua patën saju këta kamunistat e nytë, me në kry mafiozin Edvin Rama. S’ka thanë kot poplli shqiptar se njona dorë lan tjetrën, dhe të dyja bashkë lajnë ftyrën. Me kusht qi ftyra ekzisto me vërte.

    Tuj pasë parasysh qi janë qindra e mijëra shqiptarë të pasqaru, njilloj si unë, mezi po pres përgjigjet tuja, duke ba të mundun me shpëtu veten tate ene mu, sepse kështu do t’ia fus Nafijes dy kamt n’nji këpucë por edhe do e bind me fjetë me mu, gati si dikur.

    T’uroj shnet e jetë të gjatë e inshallah sa ma parë me të pa n’shpinë t’kalit! Si Don Qishotin…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit