11.5 C
Tirana
E martë, 23 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    I dashur Ergys – Po ta nis një letër në Dubai…

    Nga Bledi Mane

    Atë natë që ti me çunat pije verën e shtrenjtë “Lafite Rothschild” 50 mijë euro shishja, ne të tjerët ishim në gjumë. Vera e kuqe u derdh në gotë, nga gota në gojën tënde, pastaj vazhdoi rrugëtimin nëpërmjet ezofagut e u plas në stomak. Aty për pak minuta u përzje me mishin e sapongrënë dhe pasi ngrohu muret e stomakut u përthith menjëherë nga gjaku. Gjaku e mori verën për dore dhe të dy shëtitën kudo në trupin tënd të dembelosur nga mirëqenia e sforcuar. Më pas edhe gjaku, edhe vera trokitën në portat e trurit dhe euforia e prodhuar doli jashtë trurit tënd të vogël me dallavere të mëdhaja.

    Një moment tu duk vetja si monarku i Durrësit që bën ligjin edhe në Tiranë por aty u gëzove e u hidhërove në çast. Tu kujtuan prishjet e pazareve me ministrat dhe zyrtarët Damian Gjiknuri, Ilir Beqja, Frida Krifca, Ben Ahmetaj, Alqi Bllako, Mirlinda Kërçanaj e nuk përtove ti zgjoje nga gjumi. I telefonove, i shave, i kërcënove. Çunat në tavolinë kënaqeshin me ty dhe të yshtnin më tepër se vera e shtrenjtë.

    Një gotë tjetër, një shishe tjetër dhe ti nga monarku i Durrësit u vetshpalle mbret i shqiptarëve. Fundja kishe të drejtë se para teje kriminelët, paraja, droga, tenderat, laviret, ministrat, deputetët parakalonin të frikësuar nga pesha e pushtetit që të kishte dhënë ty pushteti…

    Vera e shtrenjtë e mbaroi ecejaken në trupin dhe trurin tënd, ti e shurrove, shurra u degdis nga gropat septike në tokë e pastaj fjete i lodhur nga grykësia dhe tangërlliku primitiv.

    Ditën tjetër ne që nuk pimë verëra të shtrenjta u zgjuam si gjithmonë pa dhimbje koke ndërsa ti u zgjove në Dubai i fshehur. Ne të tjerët u ulëm të pimë kafen e mëngjesit në Tiranën plot energji ndërsa ti i frikësuar nuk do pish më as kafe, as verë madje as cianurin e turpit. Fundja cianurin e turpit le ta pinë ata që të zgjodhën ty që të drejtosh punët e pista. Ti rezultove i paaftë dhe kjo gjë nuk i falet qeverisë!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit