Zbardhen detaje të reja lidhur me hetimin për koncesionarin e sterilizimit me vlerë afro 100 mln eurosh për të cilën janë arrestuar ish zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe 6 zyrtarë janë nën hetim në gjëndje të lirë.
Sipas SPAK” kontrata koncesionare ka fryrë kostot me 56.4% krahasuar me sektorin publik”.
Gjatë hetimeve është sekuestruar posta elektronike e biznesmenit Ilir Rrapaj e mes tyre janë dhe dy emaile që ky i ka dërguar zv/ministrit Klodian Rjepaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
Në email duket raporti i ngushtë miqësor mes tyre, një raport i cili ka nisur që në auditoret e fakultetit
“I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rjepaj.
Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, ministrit të atëhershëm Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.
Ne vendimin e gjyqtarit Erion Bani thuhet se 52 ditë para se Ilir Beqja dhe administratori i kompanisë koncesionare “Sani Service” Admir Daca, të firmosnin kontratën koncesionare, Beqja u ka dërguar një e-mail Klodjan Rrjepaj dhe Milva Ekonomit. E-maili mban datën 11 Tetor 2015, vetëm një muaj pasi Beqja kishte shpallur fitues firmën e mikut të tij, Ilir Rrapaj.
“…ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave për PPP respektive…”- u shkruan Beqja dy zv/ministrave.
Një email tjetër, sipas dosjes, që implikon Beqjan në paracaktimin e këtij koncesioni është në datën 26 Tetor 2015, kur ende nuk ishte lidhur kontrata.
Italiani Umbro Staçini në cilësinë e administratorit të kompanisë “Tecnosanimed” dhe “U.Jet,srl” i shkruan zv/ministrit Klodian Rrjepaj. Ky i fundit këtë e-mail ja përcjell dhe e ve në dijeni ministrin Beqaj i cili sërish përmes e-mailit ja përcjell përgjigjen Rrjepaj duke i pohuar se:”…pa ardhë përgjigja e Avokatit Shtetit, është shpejt për tu ulur për kontratë me italianët…”.
Në dosjen e SPAK thuhet se përmes komunikimeve midis Rrrjepajt dhe Beqajt del qartë se ishin në dijeni të fituesit të koncesionit, pikërisht të njerëzve që ata kishin takuar në Itali dhe më të cilin kishin pasur komunikime të vazhdueshme, duke dalë së bashku jashtë shtetit.
Në vendimin e gjykatës thuhet: “Nga analiza e të gjitha provave të parë në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj në bashkepunim me personin ne hetim Klodian Rrjepaj e kishin marre vendimin e dhenies me koncesion dhe e kishin zgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte kete koncesion”.
Sipas dosjes së SPAK për hetimet mbi aferën me kompaninë “SaniService”, rezulton që Rjepaj dhe Ilir Rrapaj të jenë miq, që nga koha e studimeve universitare.
Prokurorët e që po hetojnë koncesionin e sterilizimit kanë informacione të plota, që tregojnë se Rrapaj e Rjepaj përfunduan studimet në Fakultetin e Mjekësisë në 1991-1994.
Jo vetëm kaq, pasi në të njëjtat vite ka qenë student i Mjekësisë edhe shtetasi Artan Lleshi, i cili është drejtor ne kompaninë koncesionare “Sani Service”.
Njohjen mes Rrapajt dhe Rjepajt e ka konfirmuar edhe një bashkëstudente e tyre.
Qendra e sterilizimit
Në QSUT në vitit 2010-2011 është inaguruar një qendër sterilizimi, thuhet në dosjen e SPAK. Në vitin 2014 ministri Ilir Beqaj kishte marrë një shkresë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, sot Ministre e Shëndetësisë, për ta vënë në punë qendrën pasi kapaciteti i saj, mbulonte 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale.
Por pavarësisht kësaj, shënohet në dosjen hetimore, ministri i Shëndetësisë atë kohë, Beqaj, që është duke u hetuar, nuk e mori në konsideratë për ta vënë në punë qendrën e sterilizimit, por i hapi dritë jeshile lidhjes së kontratës, partneritet privat dhe publik me një nga miqtë e tij, Ilir Rrapaj dhe një shtetas italian, Umbro Staccini.
Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.



