Emri i Behgjet Pacollit, është përmendur në emailet e Jeffrey Epstrein në vitin 2012, në një email i cili mbante titullin “Kush është Behgjet Pacolli?”. Pas këtyre lajmeve, Pacolli ka bërë një postim në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, ku ka mohuar çdo lidhje me Epsteinin duke paralajmëruar se do të hapë çështje penale në gjykatë në Kosovë, Shqipëri e Libi ndaj një personi, duke aluduar se gjithçka është inskenuar nga një ish-bashkëpunëtor për ta dëmtuar.
“Gjëja më e shëmtuar është momenti kur njeriu përballet me faktet e pabesisë nga “njeriu “ të cilit i kisha besuar pa masë, për më shumë se 20 vite” shkruan Pacolli në postimin e tij. Teksa më tej shton se ky person përpiqet të “rrënojë gjithçka që ka ndërtuar”
“Faktet e këtyre pabesive, të ndërtuara me vite me radhë, do t’i publikoj një nga një sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emirate dhe Libi – aty ku janë konsumuar. Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë” shkruan më tej biznesmeni.
Postimi i plotë:
Gjëja më e shëmtuar është momenti kur njeriu përballet me faktet e pabesisë nga “ njeriu “ të cilit i kisha besuar pa masë, për më shumë se 20 vite.
Ndërkohë që çdo ditë po dalin faktet e reja , kjo pabesi nuk ishte ndalur vetëm te mashtrimet apo falsifikimi i dokumenteve, por përfshinte edhe tentativa poshtërimi, vjedhje, përbuzje të sofres, gënjeshtra, intrigat, terhjekjen e bashkepuntorëve tjerë në këto akte kriminale dhe shumë veprime të tjera të ulëta. As këto nuk i kishin mjaftuar. Ai duke mos pas fytyrë të përballët mẽ atë që kishte bërë, kishte vazhduar më tej, duke tentuar të rrënoj gjithçka që kam ndërtuar gjatë gjithë kohës së punës time , respektin ndaj njerëzve, moralin dhe pronën.
Faktet e këtyre pabesive, të ndërtuara me vite me radhë, do t’i publikoj një nga një, me emer dhe data sapo të fillojë trajtimi i tyre në gjykatat penale dhe civile në Kosovë, Shqipëri, Emirate dhe Libi – aty ku janë konsumuar.
Këto veprime janë aq të rënda, sa kam filluar t’i përmbledh faktet edhe në një libër, të cilin do ta promovoj gjerë e gjatë.
Me këtë synohen dy qëllime kryesore:
Së pari, të rritet vetëdija se pabesia është një akt i shëmtuar dhe nuk mund të kalojë pa pasoja.
Së dyti, për ata që mund të gjenden në një situatë të ngjashme me timen: besimi te njerëzit, sidomos te bashkëpunëtorët, është normal, por kontrolli është i domosdoshëm.



