Mbrëmjen e djeshme, këngëtarja Jonida Maliqi ishte e ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ku foli hapur për jetën e saj personale dhe raportet që ruan sot me njerëzit.
Gjatë intervistës, ajo u ndal te një kapitull i rëndësishëm i jetës së saj, duke folur për marrëdhënien që ka aktualisht me ish-partnerin, Romeo Veshaj. Maliqi u shpreh se raporti mes tyre vijon të jetë i qetë dhe korrekt, ndërsa periudhën që kanë ndarë së bashku e konsideron si një ndër më të bukurat e jetës së saj.
Artistja theksoi se do të kishte dashur të kishte një marrëdhënie po aq të shëndetshme edhe me babain e djalit të saj.
“Do kisha dashur që edhe me babin e Danit të kisha këtë raport që kam me Romeon sot e kësaj dite, me familjarët e tij. Më uron për çdo ditëlindje të Danit, timen, të mamit. Edhe unë e uroj atë dhe i jam shumë mirënjohëse se ka qenë një ndër partnerët e vetëm që ka bërë shumë për Danin,” u shpreh ajo.
Jonida theksoi gjithashtu lidhjen e veçantë që Romeo kishte krijuar me djalin e saj, një marrëdhënie që, sipas saj, vazhdon të jetë e pranishme edhe sot.
“Kanë qenë shumë të lidhur dhe Dani edhe sot e kësaj dite e përmend, nuk e ka harruar. Mbaj mend që unë fitova Eurovisionin dhe më duhej të lëvizja gjashtë muaj, dhe i thoshte mamit: ‘Bëje Danin gati se do ta nxjerr’, edhe e nxirrte në park lojërash me prindërit e tij. Gjë shumë e rrallë për mentalitetin shqiptar,” u shpreh Jonida.



