Kryegjyshi bektashian, Baba Mondi ka dhënë një deklaratë e cila ka ngjallur reagim te përfaqësuesit e fesë islame. Ai është shprehur se ndryshe nga myslimanët bektashinjtë falen bashkë me gratë dhe nuk i lënë gratë e vajzat e tyre të pashkolluara.
Ai gjithashtu është shprehur kundër mbajtjes së shamisë, e cila është obligim për gratë myslimane.
Hoxha nga Kosova, Muhamed Dërmaku tha në “People” se deklaratat e kryegjyshit nuk janë të vërteta, ai tha se vajzat myslimane shkollohen njësoj si djemtë. Gjithashtu ai tha se edhe falja mund të bëhet në të njëjtin ambient.
“Kur ka folur për çështjen e arsimimit, unë jam kujdestari i klasës së vajzave në medrese, nëse ato nuk shkollohen, atëherë unë çfarë po bëj? Shkollimi dhe arsimimi i vajzave daton me gruan e parë, me Havën, me Evën. Transmetuesja më e madhe e thënieve profetike është gruaja e Muhamedit a.s., Aishja e cila në kohët tona do ishte akademike e madhe. Tendencat kanë qenë gjithmonë për të njollosur islamin”,-tha Hoxha Dërmaku.
Imami Ilir Curri ishte gjithashtu i ftuar në “People” në Euronews Albania ku u shpreh se komunitetet fetare jetojnë në harmoni në shqipëri se nuk cënojnë kufijtë e tjetrit, e kjo gjë nuk duhet tejkaluar.
Me anë të një statusi ai më herët e ka cilësuar deklaratën e Baba Mondit si një projekt anti-shqiptar dhe anti-fetar.
“Projektimi i bektashinjve si faktor fetar deçiziv e përcaktues dhe faktorizimi i tyre deri në “shtet” brenda shtetit dhe për me tepër kjo, nëpërmjet një projekti te Shtetit Shqiptar është thjeshtë thika më e madhe që i ngulet Shqiptarisë. Se sa është projekt antifetar islam këtë e di edhe me i pashkolli i myslimanëve”,-tha imam Ilir Curri.