Kryeministri Rama ndodhej dje në Ersekë ku është takuar me qytetarë dhe të rinj.
Në një prej takimeve, një prej gjimnazistëve duket se ka zënë ngushtë Kryeministrin, duke i rrëzuar të gjithë propagandën e Ramës për investimet gjysmake.
Sipas të riut, godina e shkollës është bërë e re, sipas standardeve bashkëkohore, megjithatë baza materiale dhe çdo gjë tjetër mungon. Bankat janë të amortizuara, nuk kanë mjete laboratorike, internet dhe palestra nuk është tërësisht funksionale.
“Disa nga problematika që dua të shtroj ka të bëjnë më shkollën. Ju falënderoj për investimin që keni bërë për gjimnazin sipas standardeve, por bankat e klasës janë të amortizuara dhe të vjetëruara.
Përveç bankave në laboratorë mungojnë mjetet specifike për të kryer eksperimente. Edhe pas investimit tuaj palestra nuk është 100 % në funksion. Gjimnazit tonë i mungon fusha e futbollit, ka fushë volejbolli dhe basketbolli por jo futbolli.
Gjithashtu gjimnazi nuk ka internet dhe do doja të ngrihej qendra rinore ne Ersekë. Gjithashtu kisha një pyetje të drejtpërdrejtë për ju dhe kryetrarin e Bashkisë.
Të rinjtë po largohen, çfarë plani ka qeveria dhe pushteti vendor që të ndalojë hemorragjinë e largimit të të rinjve që ikin pa mbaruar ende gjimnazin dhe çfarë plani ka qeveria për kthimin e tyre për të bërë investime në vendin e tyre”, pyet qetësisht i riu kryeministrin Rama.