Një ditë më parë në mediat shqiptare, por jo vetëm, bëri bujë arrestimi i “fantazmës”, vëllait të deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hotit. Markelian Hoti, vetëm 27-vjeç u prangos në një apartament në Romë, aty ku dhe po qëndronte në “hije” së bashku me të dashurën e tij.
Arrestimi i tij ka rikthyer vëmendjen te një hetim që ka nisur në Belgjikë dhe është shtrirë në disa shtete të Europës. Sipas autoriteteve belge, i riu shqiptar dyshohet se luajtur rol kyç në një organizatë të specializuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës, madje ai është cilësuar edhe si “koka” e këtij grupi.
Lidhur me këtë arrestim të bujshëm, shqiptarët kanë pritur dhe një reagim nga deputetja të cilën e kanë zgjedhur me votë. Por, Elda Hoti ka vendosur që “t’i largohet” shpjegimeve, madje ajo u ka hequr mundësinë ndjekësve të saj nëpër rrjetet sociale edhe për të komentuar.
Demokratja ka vendosur që të bllokojë të gjitha komentet, me qëllim që askush mos i komentojë sa i përket kësaj ngjarje.
Arrestimi i Markelian Hotit, jeta “në hije” në Romë
Markelian Hoti u arrestua një ditë më parë nga autoritetet italiane. Pas disa muajsh kërkime, gjurmët e tij çuan në Itali. Hetimi u finalizua nga Skuadra “Flying” e Policisë së Shtetit në Romë, e drejtuar nga Roberto Pititto. Hoti u lokalizua në një apartament B&B në rrugën Via Giovanni Cicali, në periferi lindore të kryeqytetit italian, ku qëndronte së bashku me të dashurën e tij.
Sipas mediave italiane, ai kishte arritur të jetonte si një “fantazmë”, pasi pronari i strukturës akomoduese nuk kishte regjistruar të dhënat e tij në portalin policor “Alloggiati Ëeb”, sistem që përdoret për njoftimin e autoriteteve mbi identitetin e personave që akomodohen në struktura turistike. Ky mosregjistrim e kishte bërë praktikisht të padukshëm për kontrollin e zakonshëm policor.
Pasi u konfirmua identiteti i tij, oficerët e shoqëruan menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane deri në përfundimin e procedurave të ekstradimit drejt Belgjikës.



