Nga Johana Lubonja
Në buzë të detit, aty ku zhurma e dallgëve përzihet me aromën e pishave, qëndron një ndërtesë që ka parë pothuajse çdo stinë të historisë shqiptare. Hotel “Adriatik”, simboli i Durrësit, i turizmit shqiptar dhe i kujtimeve të brezave të tërë.
Kur u ngrit në fund të viteve ’30, ishte projektuar për të qenë hoteli më i bukur dhe më modern i vendit. Arkitektura e tij mbante shijen e stilit italian të kohës, me kolona elegante, dritare të gjera dhe një harmoni që i përshtatej brigjeve të Adriatikut. Ishte menduar për aristokracinë, për zyrtarët e lartë, për udhëtarët e huaj që kërkonin një copëz Mesdheu ende të pazbuluar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushteti i ri e shtetëzoi, “Adriatiku” u kthye në vitrinën e socializmit shqiptar. Aty strehoheshin mysafirët e huaj, sportistët, shkrimtarët, delegacionet miqësore nga Lindja. Për shumë shqiptarë, një natë në “Adriatik” ishte një ëndërr e paarritshme, një privilegj i pak njerëzve.
Në hollin e tij me dysheme mermeri, në tarracën që përplasej me dallgët, ndizeshin cigaret e para të ndonjë francezi apo çeku që sillte me vete aromën e botës tjetër.
Në vitet ’70 e ’80, hoteli u bë kartolina e Durrësit. Fasada e bardhë, palma e lartë në hyrje dhe shkallët e gjerë që zbrisnin drejt plazhit u bënë sfond i dhjetëra filmave shqiptarë, ku “Adriatiku” luante rolin e qytetërimit modern, një ishull i vogël luksi në brigjet e socializmit.
Pas viteve ’90, si shumë simbole të tjerë të epokës së vjetër, “Adriatiku” ra në heshtje. Zhurmat e turistëve u zëvendësuan nga qetësia e një godine të lodhur, e cila megjithatë ruante dinjitetin e saj. Ishte koha kur Shqipëria po kërkonte, pa e ditur çfarë e priste, rrugën e re. Edhe hoteli i famshëm duhej të rigjente vetveten.
Në fillim të viteve 2000, nisi ringjallja. “Adriatiku” u restaurua me kujdes, pa i prishur hijen e së kaluarës. Fasada e vjetër u ruajt, por brendësia u transformua në një hotel bashkëkohor me standarde ndërkombëtare. Mbeti ikona e Durrësit turistik, një monument i kujtesës dhe i shpresës.
Për banorët e qytetit, ai nuk është thjesht një hotel, është një pjesë e jetës së tyre. Një vend ku janë bërë dasma, janë bërë foto të para, janë pritur të afërm nga larg. Për të tjerët, është një simbol i përjetshëm i kohëve që ndryshojnë, por ëndrrat që mbeten.
Në fund të fundit, “Adriatiku” është më shumë se një ndërtesë: është një dëshmitar i heshtur i Shqipërisë që ka kaluar nga eleganca e ndërtesave mbretërore italiane, në ashpërsinë e socializmit, e deri te dritat e turizmit modern.
Ende sot, çdo mëngjes, ai sheh detin me të njëjtin qetësim që e ka parë prej gati një shekulli, sikur të thotë se, pavarësisht gjithçkaje, jeta vazhdon, dhe dallgët kthehen gjithmonë në breg.
Sot Shqipëria është vendi ku historia bëhet me “leje ndërtimi”. Sipas dokumenteve që janë publikuar dje në media, me miratimin e KKTU, godina e “Adriatikut” do të shembet për t’i lënë vendin një ndërtesë 12-katëshe moderne.
Në vend të kolonave që panë dekada, do të ngrihen beton e xham, dhe aty ku dikur dëgjohej zhurma e valëve, do të ndizen dritat e një… kazinoje. Po, një kazino. Vendit tonë nuk i mungojnë as hotelet, as historitë, por kumari rikthehet gjithmonë si prioritet kombëtar.
Do të ishte ndoshta më e ndershme t’i vinin emrin “Hotel Kujtesa”, që të mos harrojmë ironinë: një copë kujtese që fshihet nga faqja e dheut për t’u zëvendësuar me lluksin e dritave të bixhozit.
Ja kështu, “Adriatiku” që dikur ishte dritarja nga ku Shqipëria shihte botën, do të kthehet në një dritare nga ku bota sheh se si Shqipëria shkatërron edhe njëherë tjetër kujtesën e vet. Në fund të fundit, nuk është hera e parë që fati i këtij vendi luhet me letra.



