Këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pritet të mbahet seanca lidhur me dosjen në ngarkim të ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe personave të përfshirë në këtë çështje.
Gjatë kësaj seance gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse dosja e tyre do të kalojë për gjykim apo jo.
E para që mbërriti në ambientet e gjykatës ishte Monika Kryemadhi, e cila ashtu sikurse dhe çdo herë tjetër, u shfaq e qetë dhe sigurisht me humor të mirë.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Monika komentoi zhvillimet e mbrëmjes së kaluar në Big Brother Vip Albania, ndërkohë që u ndal dhe te filmi i saj “Me fat”.
“Iku gjynah, sa i bukur. Të pëlqeu filmi, mire ishte mire. Te shohim ccfare vendimi do te na jape sot gjyqtarja”, tha ajo, ndërkohë që në një video të postuar në “Facebook”, Kryemadhi u shpreh optimiste duke theksuar se e “vërteta del në fund”.
Ndërkohë, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, u shfaq optimist për vendimin që pritet të shpallet gjatë ditës, duke lënë të kuptohet se pala mbrojtëse pret një vlerësim në favor të ligjshmërisë së çështjes.
“E kemi pritur këtë ditën sot, kemi 7 muaj sot Gjykata do ti kthehet ligjshmërisë më në fund. Sot ka vendim. Duhet të besoni te Bejlerët, vetëm Bejlerët kthehen e bëjnë këtë vend”, tha Cakrani.



