Ilir Meta, rezulton se nuk ka as shtëpi dhe as të ardhura. Kështu ka deklaruar sot avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili ka nxjerr listën e të ardhurave, shpenzimeve dhe aseteve nga viti 1995-2023.
Sipas tij, Ilir Meta është paragjykuar dhe baltosur pa të drejtë për pasurinë e tij, sepse në fakt ajo është zero.
“Ne kërkojmë minimumin e standardeve. Standardin minimal të shtetit të së drejtës. Balta që është hedhur mbi Metën është për pasurinë e tij. Pasuria e zotit Meta është zero, qoftë e luajtshme qoftë e paluajtshme sepse ka punuar me dinjitet dhe pastërti”, është shprehur avokati.
Nga ambientet e paraburgimit “Jordan Misja” ku ndodhet prej më shumë se një viti, Presidenti i Partisë së Lirisë ka lëshuar një deklaratë të fortë publike duke rrëzuar të gjitha akuzat e Prokurorisë së Posaçme. Ilir Meta e ka cilësuar procesin ndaj tij një “farsë gjyqësore”, të bazuar në “të pavërteta dhe falsifikime”.

Letra është lexuar sot nga Tedi Blushi, në konferencën që po zhvillojnë bashkë me avokatin e Ilir Metës, duke mohuar çdo akuzë për çështjet “CEZ-DIA”, lobimin në SHBA dhe fshehjen e pasurisë. Sipas kreut të kësaj force politike, pas tetë vitesh hetime, ndaj tij nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal.
Gjatë leximit të letrës së Metës, Blushi shtoi se shteti shqiptar nuk ka pësuar humbje financiare, por përkundrazi ka dalë me fitim. Spekulimet mediatike rreth kësaj çështjeje ai i cilësoi si pjesë e një fushate nga “media sorosiste”, duke iu referuar sqarimeve zyrtare të studios ligjore “Clifford Chance”, që përfaqësoi Shqipërinë.
Përmes shkresës, ai ka bërë të ditur se vajza e tij Bora, ka porositur një akt-ekspertimi financiar që, sipas Ilir Metës, rrëzon pretendimet e SPAK. Meta deklaroi se të ardhurat e tij të ligjshme për periudhën 1995-2023 arrijnë vlerën e mbi 87 milionë lekëve të reja, pa llogaritur të ardhurat si deputet që nga viti 1992 dhe pagesat si ish-president.



