10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    INSTAT: Mbi 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë

    Më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë, sipas të dhënave të fundit të INSTAT që matën të ardhurat dhe nivelin e jetesës në vitin 2023.

    Që nga viti 2018, INSTAT e mat varfërinë në përputhje me metodologjinë e Eurostat nëpërmjet treguesit “Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) që u referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

    Sipas rezultateve të fundit, Shqipëria kishte 42.1% që vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë. Po të marrim në konsideratë se me të dhënat e Cens 2023, popullsia e vendit ishte 2.4 milionë banorë dhe mbi 1 milion shqiptarë po përjetojnë një nga format e rënda të varfërisë.

    Të 1 milion shqiptarët jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit (6 kategori që lidhen me privimin në nivel individi dhe 7 kategori që lidhen me privimin në nivel familje).

    Në nivel familje konsiderohen vështirësi:

    1. Vonesat në pagesat e kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra;
    1. Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;
    2. Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja;
    3. Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë;
    4. Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme;
    5. Pamundësia financiare për të pasur një makinë për përdorim personal;
    6. Zëvendësimi i mobilieve të vjetra me të reje

    Një individ mund të konsiderohet në vështirësi në rast se nuk ka:

    1. Mundësi për të pasur lidhje interneti;
    2. Zëvendësimi i rrobave të vjetra me disa rroba të reja;
    3. Të kesh dy palë këpucë që përshtaten siç duhet (përfshirë një palë këpucë për të gjitha stinët);
    4. Shpenzimi i një sasie të vogël parash çdo javë për veten e tij/saj;
    5. Mundësia për të pasur aktivitete të rregullta në kohën e lirë;
    6. Takime me miqtë/familjen për një pije/ vakt të paktën një herë në muaj.

    Sipas Eurostat Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë të popullsie në rrezik të varfërisë dhe privimit material.

    Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë Herzegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.

    Të dhënat e Eurostat për vendet e Bashkimit Europian flasin se në vitin 2023, rreth 21.4% e popullsisë europiane ose 94.6 milionë banorë ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit