11.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    INTERVISTA/ Et’hem Ruka: Në Shqipëri duhet të punosh gjithë jetën vetëm për një shtëpi

    Nga Entela Resuli

    Emrin e Et’hem Rukës e mbajmë mend si ministër Arsimi në një nga periudhat më të vështira që ka kaluar vendi: 1997-2001. Por ky nuk ka qenë i vetmi angazhim i tij politik. Është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në shtatë legjislatura, dy herë Ministër i Mjedisit dhe Ministër i Pushtetit Vendor.

    Sot është i tërhequr nga politika aktive dhe angazhimi i tij kryesor është jeta akademike.

    I lidhur vazhdimisht me studentët, me rininë, duket se edhe ai vetë nuk njeh moshë për shkak të aktiviteteve të shumta që përballon gjatë ditës.

    Kurioziteti për të mësuar më shumë për jetën e tij aktuale, për të kuptuar nga ai se çfarë po ndodh me vendin tonë sot, me të rinjtë që janë e ardhmja e vendit, me politikën, por edhe pse dukemi si një shoqëri e pa shpresë aq sa të shumtë janë ata që nuk e projektojnë të ardhmen e tyre në këtë vend, ne kemi folur me Profesor Et’hem Rukën.

    Profesori na ka rrëfyer me nostalgji mallin që ka për vendlindjen duke na shpjeguar se lidhja që ka njeriu me pragun dhe shtëpinë ku ka lindur e shoqëron atë deri në momentet e fundit të jetës dhe kush e mohon këtë i ka shkëputur fijet me identitetin.

    Kjo është një bisedë për të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen.

    Profesor Ruka, cili është angazhimi juaj aktual, me se merreni?

    I liruar thuajse tërësisht nga angazhimet e dikurshme të drejtpërdrejta politike, sot merrem tërësisht me jetën akademike. Ky është viti i pestë që drejtoj Universitetin Jopublik “Luarasi”. Bashkë me kolegët e tjerë drejtues të Universiteteve Publike dhe jo Publike jam i angazhuar në Konferencën e Rektorëve, organizëm mjaft i rëndësishëm për të diskutuar problemet me të cilat ballafaqohet arsimi i lartë në Shqipëri. Po ashtu bëj pjesë në Këshillin e Lartë të Arsimit dhe Shkencës, të përbërë nga një trup profesorësh që japin mësim në universitete shqiptare dhe ato të huaja të cilët këshillojnë Ministren e Arsimit për probleme të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Kohët e fundit, si një nga anëtarët më të rinj të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës do të angazhohem për të çuar më para mendimin intelektual të vendit, i cili ka ardhur duke u zbehur në raport me pritshmëritë që imponon zhvillimi i vendit.

    -Ju keni vite që jepni mësim, a ka ndryshuar identikiti i studentit me kalimin e viteve, si janë ata sot. Sa të interesuar janë për shkollën dhe dijen, në vëzhgimin tuaj?

    Shpesh dëgjojmë zëra se gjoja brezat e sotëm të studentëve janë më pak të interesuar se studentët e viteve më parë. Unë jam kategorikisht kundër këtij opinioni. Në fakt jemi ne që nuk u përgjigjemi interesave në rritje që kanë studentët e sotëm. Nëse ne nuk u shpjegojmë atyre atë që ata kanë nevojë, por u imponojmë dije që u ka kaluar koha, nëse ne nuk arrijmë të njohim e jetojmë psikologjinë e tyre, nëse nuk kemi laboratore të mira, nëse nuk i motivojmë ata për jetën, nëse nuk modernizojmë metodat dhe teknologjitë e mësimdhënies, nëse nuk i përgatitim si duhet për jetën, nëse kemi mungesë pedagogësh që të ngrihen në rolin e mësuesit, nëse nuk luftojmë të gjitha format e korrupsionit edhe në arsimin e lartë, nëse kemi profesorë që kanë marrë tituj dhe kanë shteruar së shkruari e kërkuari atëherë pse duhet të fajësojmë studentë si një brez pa interesa. “Nësetë” janë shumë më tepër se kaq, por nuk besoj se është vendi për t’i analizuar në këtë intervistë të shkurtër.

    Trupa akademike e shkollave të larta ka nevojë për një shkundje në mos një lloj “vetingu”, platformë që ka filluar të diskutohet dhe do të formatohet nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës si një sfidë me të cilën duhet të përballemi së shpejti.

    -Po për ju profesor, si ka qenë fëmijëria dhe rinia?

    Çdo kush prej nesh i takon kohës së vet ku nuk bëj përjashtim edhe unë. Fëmijëria dhe rinia ime, ashtu si edhe e gjithë brezit tim ka kaluar në kohë të vështira, por me motive të forta për të kapërcyer çdo vështirësi. Para pak muajsh unë botova një libër që e quajta “Rikthim në vendlindje” ku kam shpjeguar me vërtetësi rrugëtimin tim nga një fshat i Tepelenës e deri këtu në kryeqytet, nga një fëmijë që filloi të merrte mësimet e para në një shkollë të vogël fshati e deri në studime universitare e pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit, nga një mësues fshati deri në një profesor universiteti e drejtues i arsimit dhe shkencës në Shqipëri. Ka qenë një rrugëtim i vështirë, por jo i pasuksesshëm. I kujtoj me mall ato vite dhe sot them me bindje se në jetë duhet guxim, sakrifica dhe pasion për dijen. Unë nuk jam njeri që qahem, përkundrazi jam shumë krenar për atë çka kam arritur dhe mirënjohës për prindërit tanë të sakrificës ekstreme dhe për këdo që ka mbështetur rrugëtimin tonë.

    -Cili është kujtimi më i bukur nga ajo periudhë?

    Është e vështirë të ndash një kujtim të vetëm. Ato janë shumë. Fëmijëria në fshat ka qenë e shtrenjtë për mua. U rritëm në natyrë të virgjër dhe jo mes betonit, pimë ujë burimesh dhe mbushëm mushkëritë me ajër të pastër, u ushqyem pa merakun e pesticideve dhe ndotjen nga plastika, u lagëm nga shiu e dëbora, por u bëmë më të fortë, u ngopëm me aromën e luleve, u rritëm me dashurinë për njeriun, shoqërinë e vendin, e sa e sa gjëra të tjera. Nuk mund t’i harroj netët e gjata të dimrit, kur im atë na tregonte përralla aq të bukura që na zgjuan imagjinatën për ta parë botën ndryshe.

    -A ktheheni shpesh në vendlindje dhe cila është lidhja që keni me atë vend?

    Po, unë kthehem vazhdimisht në vendlindje. Ajo copë tokë, diku në luginën e Vjosës në Tepelenën tonë të dashur, është gjëja më e shtrenjtë për mua. Kush largohet nga vendlindja dhe nuk e kthen kokën pas mbetet pa identitet. Janë mijëra fije që e mbajnë njeriun të lidhur me vendlindjen. Unë nuk kam fare respekt për “intelektualët” që  shtiren modernë dhe kanë turp të përmendin qoftë edhe njëherë vendlindjen e tyre, kanë turp të pinë kafe me bashkëfshatarët e tyre, nuk kthehen në vendlindje dhe nuk përpiqen të promovojnë identitetin e vendlindjes së tyre.

    Pse njeriu është kaq i lidhur me vendin ku ka kaluar fëmijërinë. Shpesh edhe ëndrrat i shohim atje, në shtëpinë e vjetër… apo edhe kur është në momentet e fundit të jetës, vegimet i ka pikërisht nga shtëpia ku ka kaluar fëmijërinë….

    Po më futni në një botë tjetër për të cilën kam shumë nostalgji. Pa bekimin e vendlindjes nuk mund të bëhesh asgjë në jetë. Shtëpitë e gurta ku u lindëm dhe u rritëm nuk mund të krahasohen me asnjë vilë të sotme dhe me asnjë pasuri tjetër. Po, është e vërtet që njeriu kur moshohet edhe ëndrrat e rikthejnë pas atje ku ka filluar rrugëtimin. Njëherë i thanë një piktori të madh se ekspozita e tij kishte patur jehonë të jashtëzakonshme në shtypin ndërkombëtar. Ai nuk u impresionua fare, por pyeti nëse kishin dëgjuar të flitej mirë në fshatin e tij të lindjes.

    -Profesor, keni humbur përpara disa muajsh, vëllain tuaj, Petrit Ruka. Poeti i njohur. Çfarë ka qenë ai për ju dhe sa e vështirë ka qenë të mësoheni me mungesën e tij?

    Humbja e Petritit ka qenë një ndër plagët më të rënda që më ka shkaktuar jeta. Ai ishte një krijues i talentuar, mjeshtër i fjalës e vargut, një njeri që punoi shumë dhe la pas një thesar që me siguri koha do ta lartësojë edhe më shumë. Petriti, gjithashtu pati një rrugëtim të vështirë, por e renditi veten ndër krijuesit më të mirë të vendit. Pas vdekjes, të gjithë thonë fjalë të mira, por gjithçka që është thënë për tim vëlla mendoj se është mëse e merituar. Ai, vërtet u largua shpejt nga kjo botë, por ai tha shumë më tepër nga shumë të tjerë që mund të jetojnë gjatë, por nuk lënë mbrapa veçse harresën.

    -Shkencat e natyrës kanë qenë gjithmonë në preferencën tuaj apo studimi i tyre ishte rastësi?

    Unë jam i dashuruar pafundësisht me shkencat e natyrës e veçanërisht biologjisëAto janë shkenca ekzakte që ta formatojnë trurin në një mënyrë krejt të veçantë. Unë u rrita e u formova në një ekosistem biologësh, kimistësh, fizikantësh e matematikanësh të talentuar. Kam punuar më shumë se 50 vite në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Aty kam kaluar jetën dhe kjo më bën shumë krenar. Ky fakultet ka qenë dhe mbetet një ndër tempujt më dinjitozë të dijes.

    – E keni braktisur përgjithmonë politikën?

    Jo, nuk e kam braktisur. Unë jam një dëshmitar dhe një ndër aktorët e sukseseve dhe dështimeve të politikës në 30 vitet e fundit. Politika të krijon vartësi dhe është e vështirë të shkëputesh prej saj. Unë bëj pjesë në themeluesit e së majtës shqiptare, të cilën e rritëm dhe na rriti duke na dhënë një dimension të veçantë publik. Sot, unë nuk mund të jem aktiv si dikur, por ende mbaj disa funksione në Partinë Socialiste. Jam pjesë ekipit të garancive statutore dhe shpresoj të angazhohem aktivisht në Akademinë Politike të saj që pritet të kontribuojë në edukimin e të rinjve me pasionin për t’u marrë edhe me politikë.

    -Ju keni qenë njeri i angazhuar në politikë, me një karrierë të gjatë, disa herë ministër. Keni një mendim për parlamentin shqiptar sot, teksa e shihni nga televizori?

    Besoj se karriera ime politike është e suksesshme. Kam qenë vazhdimisht në strukturat më të larta të PS, deputet i shtatë legjislaturave, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, dy herë Ministër i Mjedisit dhe Ministër i Pushtetit Vendor. Parlamenti shqiptar ka patur personalitete të shquara majtas e djathtas, pavarësisht luftës së fortë politike. Dikur shqiptarët ngrinin para ekranit për të ndjekur seancat parlamentare, gjë sot nuk ndodh. Sot, shumë gjëra kanë ndryshuar. Idealizmi është zëvendësuar me pragmatizmin, partitë kanë humbur pjesë të identitetit të tyre, janë bërë më shumë elektorale dhe në jo pak raste niveli i parlamentarëve ka qenë nën mesataren intelektuale të vendit.

    -Kam lexuar përpara disa kohësh një shënim tuajin mbi një koleksion pikturash të kryeministrit Rama, që ju e kishit ruajtur. Mund të na e tregoni edhe ne këtë histori?

    Histori e shkuar. Unë dhe zoti Rama, sot Kryeministër, uleshim bashkë në mbledhjet e gjata të qeverisë. Rama, si gjithmonë antikonformistë, kritikë për modelet që nuk i përshtateshin standardit të tij, nuk e shpenzonte kohën kot për të dëgjuar gjëra pa interes. Ai vetëm vizatonte dhe në fund vizatimet e tij mbeteshin mbi tavolinë ose të hedhura në kosh. Mua më pëlqente shumë krijimtaria e tij dhe mblidhja gjithçka që ai linte pas. Më vonë fillova t’i kërkoja të hidhte firmën në to, të vendoste datën dhe një dedikim për mua. Mbledhje pas mbledhjesh unë krijova një koleksion me rreth 100 piktura të cilat ja tregova njëherë kur e vizitova në Bashkinë e Tiranës. Besoj se e ndërgjegjësova se vizatimet e tij nuk ishin thjeshtë për të kaluar kohën, por kishin vlerë të çmuar artistike. Më vonë ai botoi albume dhe hapi ekspozita të suksesshme.

    -E vlerësoni vërtet artin e tij?

    Ata që i quajnë krijimet e Ramës zhgaravina e kanë thjeshtë nga inati dhe xhelozia. Rama, përtej politikës, është një artist i talentuar. Këtë pasion nuk ja vodhi dot kurrë politika. Falë formimit të tij si piktor ai ideoi dhe zbatoi në praktikë projekte që asnjë kryeministër tjerë deri më sot nuk mundi ta bënte. Projekti i rilindjes urbane për mua është një nga arritjet më të mëdha për të ndërtuar një imazh tjetër për kryeqytetin, qytet e tjera të vendit, dhe disa nga fshatrat e spikatur të vendit. Të gjithë politikanët e sotëm mundohen ta imitojnë atë, por nuk do të mund ta arrijnë.

    -Po si kryeministër, çfarë mendimi keni për Ramën?

    Kjo është një pyetje e vështirë për të dhënë përgjigje në një intervistë kaq të shkurtër. Nuk ka  asnjë lider që në rrugëtimin e vet të mos kalojë përmes suksesit dhe gabimeve. Edhe Rama është një i tillë. Rama nuk mund të vlerësohet nga gjykimet e ditës, por nga analizat e të nesërmes. Ai është njeriu pasur në ide, shumë punëtor, ambicioz për t’u shkuar gjërave deri në fund, qytetar, njeri pa komplekse në raport me të huajt, njeri që ka ndërmarrë reforma të guximshme që askush nuk pati guxim t’i prekte më parë dhe një politikan i zoti që askush nuk e kishte pritur të ishte kaq jetëgjatë.

    Çdo kryeministër është një qenie njerëzore që drejton në një kontekst të caktuar, në rrethana të caktuar kombëtare e ndërkombëtare, në një stad të caktuar të zhvillimet ekonomike të vendit, dhe si i tillë nuk ka mundësi të asnjëherë jetë plotësisht në pritshmëritë e qytetarëve të vendit të vet.

    -Profesor, ndoshta është edhe një perceptim i gabuar, po a ndjeni ju një shkuraim tek shoqëria jonë. Një mungesë shprese. Një dëshirë për t’u larguar. Pse ndodh kjo?

    Është e vërtet. Para një jave botova në një nga revistat e Universitetit “Aldo Moro” të Barit një vështrim të përgjithshëm për migracionin shqiptar dje dhe veçanërisht në 30 vitet e fundit. 1 700 000 shqiptarë kanë braktisur vendin në 30 vitet e fundit. Një hemorragji e tejskajshme. Për ata që merren me studime të kësaj natyre e dinë se shoqëria njerëzore nuk do të kishte ekzistuar pa migracionin, por jo në këtë masë. Thjeshtë është mungesa e shpresës, mungesa e vendeve të punës, mungesa e standardeve demokratike e shumë faktorë të tjerë që motivojnë të rinjtë për të braktisur vendin. Politika shqiptare për fat të keq krijoi pak të pasur dhe shumë të varfër. Shtresa e mesme ka vetëm emrin. Piramida e vlerave është përmbysur. Shumica e mjeteve financiare qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Shqipëria ndërton shumë pallate e grataçela, por një familje modeste duhet të punojë gjithë jetën për të patur një strehë. Megjithë përmirësimet e legjislacionit për migracionin, është urgjente që strategjitë kombëtare të hartuara për këtë çështje nuk duhet të mbeten në letër por të marrin jetë në praktikë.

    -Zoti Ruka ju jeni bërë edhe gjysh, na tregoni pak për këtë ndjesi? A kaloni kohë më nipërit dhe mbesën?

    Jeta na fal kënaqësi në çdo moshë. Po, jam gjysh i lumtur i dy nipave dhe një mbese të vogël. Kur shikoj dëftesat e tyre vetëm me dhjeta dhe trofetë që kanë marrë në konkurse kombëtare e ndërkombëtare them se janë në rrugë të mbare. Nëse prindërit dhe gjyshërit nuk bëjnë dot fëmijët dhe mbesat e tyre gjithçka që kanë bërë në jetën e vet shumëzohet me zero.

    -Një nga botimet tuaja të fundit është edhe libri “Përtej njeriut”. Çfarë ju ngacmoi të shkruanit për këtë temë?

    Besoj se është një ndër botimet e mija më të mira. I ftoj të gjithë ta lexojnë për të kuptuar se nga vijmë e ku shkojmë. Sfidat e së ardhmes bartin me vete optimizëm dhe frikë. Kjo ka qenë vazhdimisht aventura e jetës. Unë i besoj shkencës dhe teknologjisë, i besoj asaj pjese të dijes që po trondit nga themelet jetët tona dhe gjithë shoqërisë njerëzore. Aty kam folur gjerësisht për jetën dhe vdekjen si dy anë të së njëjtës medalje, kam folur për atë çka premton shkenca dhe teknologjia për zgjatjen e jetës dhe rrudhjen e vdekjes, jam munduar të sjellë për lexuesit atë që duket në horizont, por që shpejt do të bëhet realitet për njeriun e një kohe tjetër, jam mundur të shpjegoj se qenia njerëzore duhet të marrë në dorë fatin e vet nëse një ditë nuk duhet të pësojë fatin e dinozaurëve që u zhdukën dhe sot kanë lënë vetëm fosilet e tyre. Në një intervistë tjetër do të doja ta shtjelloja më qartë këtë temë që më ka intriguar gjithmonë.

    DITA

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit