Biznesmeni dhe botuesi i disa mediave, Irfan Hysenbelliu, thotë se është kërcënuar me jetë. Televizioni informativ që ai drejton, bën me dije se Hysenbelliu dhe familjarët e tij janë kërcënuar me jetë, por nuk japin më tepër detaje.
“Botuesi i News24 dhe Panorama Grup së bashku me familjarë të tij, janë kërcënuar me jetë nga një prej personazheve të denoncuar më herët për afera të dyshuara korruptive nga emisionet investigative në News24”, thonë mediat e Hysenbelliut.
Sipas mediave të zotit Irfan Hysenbelliu, ky shtetas raportohet se ka lidhje të ngushta me nivele të larta të qeverisjes. Po ashtu, bëhet me dije se avokatët e familjes do të ndjekin të gjitha procedurat ligjore, duke depozituar edhe provat përkatëse që provojnë kanosjen.
“Familja Hysenbelliu rikonfirmon mbështetjen e plotë për gazetarët dhe stafin e News 24 dhe Panorama Grup, duke i inkurajuar ata të vijojnë të pashqetësuar punën e tyre fisnike në raportimin e lajmit dhe denoncimin e korrupsionit”, vijon reagimi.