30.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Qershor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Ish-ambasadori i Shqipërisë në Amerikë shpërthen ndaj Sali Berishës: Ti je një mashtrues i rëndomtë që urren Shqipërinë

    Profesori dhe diplomati i njohur, Fatos Tarifa ka shpërthyer keq në një analizë në shtypin e shkruar, për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai i referohet deklaratave të Berishës në Parlamentin Europian, ku ai e quajti Shqipërinë një “narko-shtet”.

    Tarifa e quan liderin demokrat një renegat të vendit të tij, mashtrues të rëndomtë dhe një burrë qesharak që urren Shqipërinë, popullin e tij.

    “Ti e urren Shqiperinë, të cilën thua se do ta bësh “madhështore”. Ti do një Shqipëri që të të ngjajë ty, dhe ti nuk je aspak madhështor, përkundrazi, je një njeri shumë i vogël. Ti do një Shqipëri që të të bindet ty, që të të shërbejë ty dhe familjes tënde, një sulltanat formalisht “republikan”, paçka se e ke vjedhur dhe e ke djegur këtë vend, ia ka vrarë qytetarët, i ke përçarë e i ke ndarë që të sundoje ti”, shkruan ai.

    Shkruan Fatos Tarifa

    Sot, në faqen e saj të parë, gazeta DITA i prezantoi shënimet e mia për ty, Sali, si një “letër Saliut”, kur ato shënime, në fakt, nuk ishin një letër. Ishin, siç janë edhe këto të sotmet, thjesht shënime për një renegat të vendit të vet.

    Ti e urren Shqiperinë, të cilën thua se do ta bësh “madhështore”. Ti do një Shqipëri që të të ngjajë ty, dhe ti nuk je aspak madhështor, përkundrazi, je një njeri shumë i vogël.

    Ti do një Shqipëri që të të bindet ty, që të të shërbejë ty dhe familjes tënde, një sulltanat formalisht “republikan”, paçka se e ke vjedhur dhe e ke djegur këtë vend, ia ka vrarë qytetarët, i ke përçarë e i ke ndarë që të sundoje ti.

    Më në fund, kur duket se në Europë po fryjne ca erëra të mbara për Shqipërinë dhe nuk na shohin më si në kohën kur ti, Sali, ishe president i këtij vendi dhe i lebetite europianët me ato që panë e dëgjuan më 1997, ti përpiqesh sot t’u thuash, po atyre europianëve, të mos na bëjnë vend në familjen e tyre, të na lënë jashtë, që të vazhdojmë të të kemi ty nëpër këmbë e të merremi me ty.

    Këtë e bën sepse hyrja e Shqipërisë në Europë nuk do te ishte merita jote. Dhe çdo gjë që nuk e bën dhe nuk e do ti, nuk duhet bërë.

    Ti nuk e do Europën, sepse nuk je si ajo, nuk ke asgjë europiane në qenien, në mendjen dhe në sjelljen tënde politike.

    Pasi të ka njohur mirë, as Europa nuk e do një qenie politike si ty, sepse një qenie politike e llojit tënd nuk i përshtatet llojit të shoqërisë që Europa është dhe llojit të politikës që ajo bën.

    Kur të dëgjova se çfarë u the në Bruksel atyre pak kokave të lodhura (dhe atyre pak veshëve që pak dëgjojne) për vendin tënd, nëse vërtet e konsideron Shqipërinë vendin tënd, m’u pështirose edhe më shumë se deri më sot, m’u duke një njeri shumë, shumë i vogël, një qaraman që i trembet dhe i vidhet së vërtetës, që e mohon atë.

    Madje, m’u duke një serb nga ata më të këqinjtë, që vetëm i baltos Shqipërinë dhe shqiptarët, atë Shqipëri, së cilës kaq bukur i këndoi Naimi, atë Shqipëri, të cilën me kaq krenari e dinjitet Vaso Pasha, më 1879, ia prezantoi Europës me të famshmen vepër të tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”.

    Ku Vaso Pasha, ai rilindas i madh, e ku ti, Sali i vogël. Rreth një shekull e gjysmë më parë, Vaso Pasha u tha europianëve “la vérité sur l’Albanie et les Albanais”, të vërtetat e panjohura, ose të mohuara, mbi Shqipërinë europiane dhe shqiptarët, në një kohë kur Shqipëria rrezikonte të fshihej nga harta e Europës edhe si një shprehje gjeografike.

    Sot, ti përpiqesh t’i mohosh e të hedhësh baltë mbi të vërtetat mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që duan t’i bashkohen hartës politike të Europës, pasi më parë u bënë një shtet dhe një komb i pavarur i saj dhe mbijetuan si të tillë. Këtë, vetëm një renegat i vendit dhe i popullit të vet e bën.

    Fatkeqësisht, akoma je i lirë dhe ke para të udhëtosh në Europë e të shfaqesh në ca salla 98.7 për qind të zbrazta. Fatmirësisht, sidoqoftë, je bërë i pabesueshëm për këdo, një mashtrues i rëndomtë, në mos edhe një burrë qesharak, që jo vetëm s’bën atë që duhet, por që edhe s’di se ç’bën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit