16.5 C
Tirana
E premte, 18 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ish-kandidatja për deputete e LSI-së, Elona Guri, postiere e parave të pista të Ilir Metës drejt Anglisë

    Në një nga kallëzimet penale të referuara në SPAK për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, kërkohet që të verifikohen udhëtimet e shpeshta drejt Anglisë të Elona Gurit, ish-kandidate për deputete e LSI-së. Në kallëzim, për të cilin SPAK ka regjistruar një procedim penal, Elona Guri përshkruhet si pjesë e njerëzve të besuar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të përfshirë në skemat e pastrimit të parave të korrupsionit, si dhe të lëvizjes së parave drejt Anglisë dhe shoqërive offshore.

    Sipas materialit, Elona Guri nuk i justifikon me burime të ardhurash udhëtimet e shpeshta në Angli, ku pretendohet në kallëzim se ka dërguar para për të mbuluar shpenzimet për shkollim të fëmijëve të Metës. SPAK ka nisur hetime për këtë pretendim dhe shuma akuza të tjera ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhi, shoqëruar edhe me dokumente.

    “Nga ana tjetër, rezulton se sipas informacioneve të marra disa individë të caktuar pranë Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët edhe gjatë karrierës së tyre kanë pozicione kontradiktore, kanë pastruar paratë të cilat i janë dhënë cash nga çifti Meta- Kryemadhi dhe janë futur në llogaritë e tyre bankare për të kryer transferta drejt shoqërive offshore ose shoqërive të tjera në interes të LSI… Elona Guri është po aq e rëndësishme në skemat e pastrimit të parave të familjes Meta  -Kryemadhi.

    Ajo rezulton të jetë pjesë e skemave të financimit të kompanive lobuese në SHBA dhe offshore. Elona Guri ka mbuluar shpenzimet e fëmijëve të Ilir Metës gjatë shkollimit në Mbretërinë e Bashkuar, duke udhëtuar çdo javë drejt Anglisë pa pasur burime të justifikuara mbi shpenzimet e bëra. Mjafton të verifikohen udhëtimet e Elona Gurit jashtë Shqipërisë dhe qartazi del në pah fakti se ka pamundësi për t’i mbuluar ato shpenzime. Gjithashtu mister mbetet fakti përse ky person e ka nisur karrierën si babysitter e fëmijëve të familjes Meta, më pas asistente e Ilir Metës, donatore e LSI, financuese e skemave të Ilir Metës, postiere e parave të Ilir Metes drejt Anglisë dhe së fundmi kandidate për deputete në qarkun Durrës”, thuhet në materialin kallëzues.

    Thelbi i çështjes penale të Metës është se janë konfirmuar me dokumente shpenzime me vlerë rreth 1.2 milionë USD për lobim në SHBA, para këto të padeklaruara dhe të pajustifikuara. Kjo është një provë që vështirë që të dalë një prokuror që ta anashkalojë apo që të gjejë një alibi për të mos e çuar dosjen në Gjykatën Speciale.

    Deri më tani, mësohet se SPAK ka regjistruar të pakën tre procedime penale pas disa kallëzimeve ndaj Ilir Metës, dy nga të cilët janë bërë nga ish deputeti Halit Valteri. Ndoshta kjo mund të jetë një nga arsyet që Ilir Meta ka humbur qetësinë dhe po përdor një gjuhë të paprecedentë nëpër konferenca shtypi.

    “Jam krenar që kam lindur 1 mijë metra mbi nivelin e detit, kam ardhur 1 vjeç në Tiranë, te çerdhja te Pazari i ri, por përveçse që jam shumë i lumtur që kam lindur në Skrapar, jam i lumtur që jam dhe çun i Pazarit të ri, ku mësohej si të mos rrihesh me të gjithë çunat e lagjes. Unë i bie më të fortit e i këpus në mes, e Eroni Kolonjës t’i duket gjigant. Unë i bijë vetë, nuk e bëjë me porosi, me kënaqësinë më të madhe dhe në emër të popullit të Shqipërisë, sakrificave. Bastard, që kujton se mund ta kthejë Shqipërinë në laboratorë kavjesh”, tha Meta ditën e djeshme.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit